Shkopinj gome te Kullat Binjake dhe qindra të shoqëruar në polici
Pas përfundimit të demonstratës, një numër i madh forcash speciale janë shpërndarë në rrugë dhe kanë ushtruar dhunë, në tentativën për të shoqëruar demonstruesit në polici. Pas kësaj ndërhyrjeje, shumë persona mbetën të dëmtuar duke marrë plagë të rënda në trup. Menjëherë pas kësaj ndërhyrjeje, efektivët e policisë vërshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku dhe aty zbatuan të njëjtin skenar, duke shpërndarë me dhunë të gjithë protestuesit që gjendeshin në rrugë. Një numër i madh furgonësh policie janë mbushur me persona, kryesisht të rinj, të cilët u futën me dhunë në mjetet e policisë, të cilët me sirena ndezur rendin drejt komisariateve për të zbrazur të shoqëruarit dhe për të ardhur sërish në bulevard. Situata precipitoi deri në thyerjen e bizneseve private nga ana e efektivëve të policisë dhe turmave që rendnin për t’i shpëtuar sulmit të tyre. Xhama të thyer, karrige të hedhura nga katet e larta, vazo lulesh, të cilat fluturonin sa nga njëra anë në tjetrën. Kjo ishte pamja që u shfaq brenda pak sekondash në ambientet e brendshme të “Kullave Binjake”, ku mësynë një numër i madh njerëzish dhe efektivash policie, të cilët me shkopinj gome në dorë kërkonin të shpërndanin turmën e mbledhur prej mëse 3 orësh përpara zyrave të Kryeministrisë. Situata e krijuar në hollin e këtyre ndërtesave dhe frika për shoqërimin në polici, detyroi një numë të madh njerëzish dhe gazetarësh, të cilët ndodheshin në disa prej lokaleve që ndodhen në këto ndërtesa, të hezitonin të dilnin prej tyre, pasi i druheshin një sulmi të ardhur nga personat që ndodheshin në rrugë, qofshin këta policë apo protestues.
Për rreth 30 minuta, furgonë policie, blinda dhe një numër i madh automjetesh, patrulluan përgjatë bulevardit, në të cilin nuk gjendej asnjë protestues për të treguar se situata tashmë ishte në dorën e tyre. Ndërkohë, forcat e policisë të mbledhura përpara Kryeministrisë morën urdhra të reja për situatën, duke krijuar gardhe përpara zyrës dhe duke bllokuar dhe të gjitha hyrjet për që të çojnë në bulevard. Ora 18:15. Askush nuk lëviz në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Dyert e thyera të “Kullave Binjake”, pllakat e dëmtuara të bulevardit, makinat e djegura dhe mbetjet e bombave me gaz lotsjellës janë shenjat e një beteje të ashpër të ndodhur në këtë shesh lufte, ku dhe humbën jetën 3 persona, dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur dhe qindra të tjerë kaluan natën në qelitë e komisariateve të Tiranës.