Topi për mediat kosovare, pavarësia e pakthyeshme
TIRANE- “Dy janë ngjarjet kulmore të vitit që shkoi, 17 shkurti dhe 4 prilli” kështu është shprehur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi në një intervistë për mediat kosovare. Sipas presidentit ,2008-ta ka qenë një vit me ngjarje historike ,duke përmendur pavarsinë e Kosovës dhe ftesën që ju bë Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
Topi ka siguruar Kosovën se Shqipëria do të bëjë të pamundurën për të bërë lobing në lidhje me njohjen e pavarsisë nga vendet që nuk e kanë bërë endë një gjë të tillë. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm ka thënë presidenti.
I pyetur në lidhje me misionin e EULEX-it në Kosovë, Topi është shprehur se ky mision ka një mandat të përkohshëm dhe zërat për ndarjen e Kosovës do të mbeten vetëm zëra.
Presidenti ka thënë se ambasadori tashmë i emëruar i shqiperisë do të jetë shumë shpejt në krye të Ambasadës Shqiptare në Kosovë.
I pyetur për marëdhëniet e tij më kryeministrin Berisha, Topi është përgjigjur duke thënë se raportet e mëparshmë personale janë shndërruar në institucionale. “Si përfaqsues të dy institucioneve veprojmë në respekt të ligjit e në mbrojtje të Kushtetutës”- ka thënë ai.
Për sa i përket zgjedhjeve të shumëpritura të këtij viti Topi është shprehur se zgjedhjet janë provë për demokracinë dhe për integrimin e Shqipërisë.
“E rëndësishme është që zgjedhjet të mbahen sipas standarteve, të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve votues dhe të mos kontestohen”-ka thënë presidenti Topi.
(e.nurcelli /Balkanweb )