Arrestohet kosovari i kërkuar nga Interpoli
Policia ka arrestuar dje në Aeroportin e Rinasit një 25–vjeçar i cili rezulton person në kërkim ndërkombëtar. Sistemi i të dhënave kriminale e ka identifikuar Xhelal Sherifin, nga Gjilani i Kosovës. Ai ishte në radhën e pasagjerëve që sapo kishin zbritur nga një avion i cili sapo kishte mbërritur nga Turqia, por nuk dihet saktësisht se nga ku i kishte fillesat udhëtimi i tij. Burime konfidenciale policore thanë se i riu dyshohet se vinte nga Afganistani, por ende nuk ka një variant zyrtar rreth faktit të mësipërm. Nëse vërtetohet qëndrimi i tij në Afganistan sigurisht që mbi kosovarin do të fillojnë hetimet për aktivitetin e tij në vendin problematik.
KërkimiDuke iu referuar faqes zyrtare të Interpolit, Xhelal Sherifi, i datëlindjes 10 qershor 1985 ishte shpallur në kërkim për “krim kundër jetës dhe shëndetit” nga policia e Konektikat në SHBA. Ajo që bie në sy është fakti se Interpoli ka dhënë si vendlindje të 25-vjeçarit, Gjilanin, por krah saj shënon se është shtetas i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa dihet fare mirë se qyteti i sipërcituar ndodhet në Kosovë. Kërkimi i të riut është bërë pasi për të ka një kërkesë të drejtësisë amerikane, sepse shqiptari është autor i një ngjarjeje të vitit 2001 në SHBA, kur ai ka qenë vetëm 16 vjeç.
NgjarjaNë nëntor të vitit 2001 Xhelal Sherifi dyshohet se ka kryer plagosjen me thikë të një shtetasi amerikan, vetëm 20 vjeç, Kristofer Kazes. I mituri është ndaluar ditën e ngjarjes, por duket se atë e ka favorizuar fakti se ishte i mitur si edhe garancia pasurore që është vendosur në shkëmbim të lirisë. Për ngjarjen, policia e Konektikat është shprehur se i mituri nuk kishte ngurruar të qëllonte disa herë me thikë të riun amerikan. Sherifi ndodhej në shoqërinë e vëllait të tij më të madh, me të cilin edhe jetonte, kur i ishte vërsulur pas një debati amerikanit dhe i ka shkaktuar atij plagë të gradës së tretë dhe të katërt, thuhet në dosjen hetimore. Thika i plotësonte parametrat e armës së ftohtë, por gjykata duket se ka qenë në dilemë për mbajtjen e tij në institucionin e riedukimit, duke menduar edhe për faktin se prindërit e 16-vjeçarit ndodheshin larg tij, në Kosovë.
Sipas dosjes gjyqësore, Sherifi nuk kishte pasur asnjë shkak për të ushtruar dhunë mbi të riun amerikan, ndaj dhe veprimi i tij është konsideruar si çrregullim psikik. Dëshmitarët okularë i kishin thënë policisë atëherë për ngjarjen se pasi Xhelal Sherifi kishte derdhur mbi amerikanin mori grushtesh kishte nxjerrë më pas një thikë me të cilën e kishte qëlluar disa herë në trup, duke i shkaktuar edhe plagë të rënda. Ai u dënua me kusht nga gjykata e cila kërkoi edhe garanci pasurore 350 mijë dollarë. Për të miturin nuk u caktua një kujdestar, pasi ai i kishte prindërit në Kosovë.
#