Basha mbledh përfaqësuesit e pushtetit vendor, angazhohet për decentralizim real
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje me përfaqësues të pushtetit vendor dhe është angazhuar për decentralizim të këtij pushteti duke u bazuar në parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe mbi masat e marra nga qeveria për vijueshmërinë dhe suksesin e këtij procesi. Kreu i Ministrisë së Brendshme i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive se Ministria e Brendshme, ashtu si deri tani, do të jetë zëri i autoriteteve vendore në qeverisjen qendrore për të vijuar reformat decentralizuese, të cilat kanë qenë dhe mbeten prioritet i qeverisë Berisha. “Ka pasur një vullnet të qartë nga ana e qeverisë, përkthyer jo vetëm në akte legjislative, rregullatore, por edhe në atë që është më e prekshme për qytetarët, një decentralizim real kompetencash dhe një decentralizim real financiar të padëshmuar më parë dhe, nga ana tjetër, kemi gjetur një gatishmëri dhe një kapacitet me të vërtetë të nivelit europian nga ju si partnerët tanë, për të absorbuar gjithë këtë proces mbinormal për nga shpejtësia, të decentralizimit, për ta kthyer atë në një leverdi të prekshme për qytetarët”, - u shpreh ministri Basha. Kreu i dikasterit të Rendit renditi disa nga arritjet në kuadrin e decentralizimit të qeverisjes vendore, si uljen e nivelit të taksës për biznesin e vogël, trefishimin e fondeve qeveritare në harkun e tre vjetëve si fonde lokale e rajonale, programin kombëtar për investime lokale ku përfitojnë 100% e njësive vendore, lejimin e disbursimit 12-15 herë të fondeve për investime në njësitë vendore, ngritjen e institucioneve të konsultimit permanent, krijimin dhe funksionimin e Grupit të Punës për Decentralizimin, transferimin e autoritetit fiskal për taksën e biznesit të vogël dhe disa taksave të tjera te pushteti vendor, aprovimin e kuadrit ligjor të huamarrjes lokale, transferimin e pronave publike të pushtetit vendor etj. “Si ministër i Brendshëm kam vërejtjet e mia për përdorimin diskrecional të këtyre fondeve nga disa bashki, të cilat fatkeqësisht nuk janë kthyer në vepra për qytetarët, por janë kthyer në fryrje administrate, tre-katër deri pesëfishim të policisë bashkiake etj.”, - tha Basha.
Shalsi: “Basha sot duhet të ishte në bankën e të akuzuarve”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka reaguar dje pas deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Lulzim Basha. Ndër të tjera, deputeti socialist Eduard Shalsi u shpreh: “Ministri i Punëve të Brendshme i familjes Berisha, i cili sot duhet të ishte në bankën e të akuzuarve për grabitjen e rrugës me tunel të shembur, flet për rritje buxhetesh bashkiake, ndërkohë që qeveria po ia kalon një pjesë të krizës së buxhetit të saj pikërisht bashkive e komunave. Arka e shtetit është bosh, faturat e qytetarëve po rriten përditë, ekonomia po rrënohet dhe pushteti i vjedhur i 28 qershorit po mundohet ta mbajë popullin me gajretin e gënjeshtrave të përditshme. Ne duhet ta largojmë këtë pushtet, përpara se të ketë shkatërruar çdo gjë”, - është shprehur Shalsi.
10 Mars 2010