Topi “po” reformës së pronës në vend
14/01/2010 Presidenti i Republikës dekreton 9 ligje
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar shpalljen e dy ligjeve me rëndësi në fushën e reformës së pronës, projekte që u miratuan në seancën e fundit të sesionit parlamentar, si: “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, i ndryshuar” dhe “Për disa shtesa në ligjin nr. 8053, ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Në ligjin e parë përcaktohet se AKKP-ja duhet të shqyrtojë brenda dhjetorit të vitit 2011 rreth 8 mijë kërkesat e mbetura pezull për njohje, kthim apo kompensim prone. Kjo pasi projekti në fjalë parashikon shkrirjen e 12 agjencive rajonale në republikën e Shqipërisë të ngritura dhe që kanë funksionuar për këtë çështje. Menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit AKKP-ja do të rrisë domosdoshmërish dhe numrin e punonjësve, të cilët do të përballojnë fluksin e dosjeve që janë pa u shqyrtuar brenda afateve të caktuara ligjore. Ndërsa ligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” parashikon dhënien e tokës bujqësore të banorëve, që e kanë pasur më përpara në përdorim. Për këtë do të përdoret skema e kompensimit në tokën deri në 750 metra katrorë. Nga kjo përfitojnë banorët e zonave të Orikumit dhe të zonës së Ksamilit, apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 metra katrorë do t’u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe deri në 750 metra katrorë, ndërsa përmasa minimale e përfitimit është 300 metra katrorë.
Po dje kreu i shtetit ka dekretuar edhe një sërë marrëveshjesh dhe projektesh të tjera, që do të bëhen pjesë e legjislacionit shqiptar.