Eduard Aliaj: Kjo është e vërteta e Qafë-Gjashtës dhe pengmarrjes
14/01/2010 Më detyruan të thosha se kishim mision për të vrarë në Sarandë
Viti i mbrapshtë i trazirave, 1997, solli edhe një nga ngjarjet më të dhimbshme në jug të vendit, pikërisht në Sarandë. Në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë, në muajin mars të vitit 1997, ndodhi një masakër, e cila i mori jetën punonjësit të policisë Gjergj Mehmeti, ndërsa u torturua mizorisht për më shumë se dy javë rresht nga të ashtuquajturat Komitete të Shpëtimit Publik në Sarandë, polici tjetër Eduard Aliaj. Ndonëse tashmë nuk ndodhet në Shqipëri Eduard Aliaj, i cili arriti t’i mbijetojë torturave, ka rrëfyer me detaje se si shpëtoi pas ndihmës që i dha njeriu i përfolur i bandave të Vlorës Marteza Çaushi. Aliaj arriti të shpëtojë i gjallë nga masakra dhe torturat duke mos pasur fatin e kolegut të tij Gjergji Mehmeti, i cili pasi u vra u dogj brenda makinës. Një ngjarje, për të cilën tashmë ndodhen të arrestuar disa persona. Aliaj ka rrëfyer historinë e dhimbshme të jetës së tij. Tortura çnjerëzore, cigare të djegura në trup, këmbë e duar të lidhura me zinxhir, ditë të tëra pa ngrëna, goditje me qytë automatiku dhe vuajtje më dy javë me radhë. Frika se mos e helmonin apo e vrisnin e ka detyruar të kërkojë ndihmë tek Zani Çaushi, për të cilin thotë se e ka shpëtuar nga skëterra ku qëndroi në spitalin e Sarandës.
Mbërritja në Sarandë
“Kur mbërritëm në Sarandë pamë që situata ishte jashtë kontrollit, njerëzit ishin me armë në duar dhe ne nuk pamë asnjë punonjës policie. Shkuam drejt në komisariat dhe pamë se godina ishte e djegur, madje nxirrte tym akoma dhe përpara godinës ishin dy furgonë policie të djegur. Nuk takuam asnjë punonjës policie, as në komisariat dhe as aty afër. Gjetëm diku një telefon celular me numër grek dhe Sokoli foli në telefon. Pasi foli, ai na tha se ishte lidhur me zëvendësministrin e brendshëm, Agim Shehu, dhe i kishte raportuar për gjendjen në Sarandë se situata ishte jashtë kontrollit dhe nuk bënim dot gjë, pra që të ringrihej komisariati. Sokoli na tha se ai i kishte thënë që të mundoheshim të bënim ndonjë gjë, të organizonim ndonjë postbllok dhe nëse kjo ishte e pamundur të ktheheshim në Vlorë.
Përplasja në Qafë-Gjashtë
“U nisëm përsëri të dyja makinat në drejtim të Qafë-Gjashtës. Pas disa minutash, tek karburanti në krah të djathtë të rrugës në Qafë-Gjashtë dalluam disa persona të armatosur, 10-15 veta, të shpërndarë përpara karburantit. Në momentin që unë dallova këta persona isha rreth 40 metra larg makinës së parë. Pashë se makina e Myzaferit u parkua mbrapa një mauneje të parkuar pa hyrë në karburant dhe në kohën që ka mbërritur makina jonë, grupi i armatosur po qëllonte për paralajmërim. Unë kam hapur derën e makinës ku ndodhesha dhe kam zënë pozicion dhe kam tentuar të qëllojë edhe unë në ajër për paralajmërim, por automatiku nuk funksionoi. Unë pashë se njëri nga dy personat që ishte në makinë me Sokol Bizhgën që na prenë rrugën pak më parë, doli nga makina dhe iku në drejtim të grupit duke bërë shenja me duar. Nuk kam dëgjuar se çfarë ka folur. Sokoli dhe Gjergji qëlluan me automatik në ajër për paralajmërim. Madje, pashë se Sokoli hodhi një granatë dore mësymëse, dëgjova zhurmën, por nuk e pashë se ç’ drejtim e hodhi. Në momentin që ky person është larguar nga makina, unë pashë se u largua nga makina Myzaferi, Genci, xhaxhai dhe ushtari. Ata ikën me vrap nga mbrapa ullinjve ku ishte një godinë e vjetër dhe më pas mora vesh se ishte një repart ushtarak. Në kohën që personi është bashkuar me grupin e armatosur, ata qëlluan me më shumë intensitet në drejtimin tonë. Në këtë kohë unë kam dëgjuar Gjergjin që thërriste: “U plagosa, më dërgoni në spital” dhe ai ishte brenda në makinë në këtë kohë. Unë në këto momente ndodhesha në makinën e dytë, në krahun e pasagjerit. Pas pak kam parë Sokolin që u largua për nga krahu i majtë i rrugës dhe në këtë kohë edhe unë kam kapërcyer murin në krahun e djathtë dhe jam fshehur te disa pisha.
Torturat që pësova deri kur më shpëtoi Zani
Më torturonin gjatë gjithë kohës, por më të vështirat kanë qenë ditët kur më merrnin në pyetje. Madje, donin të më vrisnin, edhe ditën kur erdhi Zani Çaushi e Luçiano dhe me shpëtuan. Qëlluan kundër furgonit, por plumbi nuk na kapi. Të afërmit e mi morën vesh që shpëtova, erdhën më morën te shtëpia e Zanit. “Jam polic, jam nga Vranishti i Vlorës, mos godisni”. Unë dola nga vendi ku isha pasi mendova se po të ikja me vrap do më qëllonin. Personi që qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të makinës ku ishte Gjergji, ishte një djalë rreth të 25-ve, i gjatë, rreth 1.70m, trup mesatar dhe me flokë të zeza deri në gjatësinë e qafës, flokët pak me onde të kthyera anash, i parruar. Edhe nëse ma tregoni këtë person, nuk mendoj se jam në gjendje ta njoh, pasi ka kaluar kohë e gjatë. Ata filluan të më godisnin me qytat e armëve dhe me sendet çfarë u ndodhej pranë dhe më shanin. Ata më godisnin në kokë dhe në gjithë trupin me grushte, me shkelma, më pështynin. Turma sa vinte dhe bëhej më e madhe pasi vinin njerëz nga Saranda dhe nga rrethinat. E gjithë kjo zgjati 10-15 minuta. Njëri nga ata personat më hipi në një makinë tip Benz 2400, ngjyrë kafe bashkë me dy persona të armatosur, djem të rinj për të më ruajtur mua dhe më çuan në një lokal në Sarandë ku ishin gazetarë grekë dhe italianë. Nuk e kujtoj emrin e lokalit, fillimisht më çuan në banjë që të lahesha, pasi isha gjithë gjak dhe gazetarët e huaj më kujtohet që ishin duke ngrënë.
Lidhur me pranga
“Mua më lidhën pas një shtylle dhe duart e lidhura gjithashtu pas shtylle. Gjatë gjithë kësaj kohe përsëri njerëz të armatosur vazhdonin të më godisnin. Nuk jam në gjendje të them emrat e tyre pasi nuk i njihja. Ishin rreth 50 veta në miting. Pështyja gjak dhe u ula se nuk qëndroja në këmbë nga goditja. Nga kjo goditje unë kam pësuar çarje të thellë prapa kokës, të cilën ma ka qepur më vonë në spitalin e Sarandës. Rreth orës 22:00 të asaj dite më çuan në spital dhe unë rashë në kllapi nga goditjet dhe plagët. Por, mbaj mend që më kanë lidhur me pranga gjermane nga to të trashat.
Fola kundër qeverisë
Më detyruan njerëzit që më mbanin të lidhur që të flisja se gjoja kisha ardhur me mision nga Qeveria për të vrarë njerëzit në Sarandë dhe se isha kriminel. Unë u detyrova të thosha këto gjëra para turmës nga frika se do më vrisnin. Di që gazetarët e huaj më kanë filmuar. Madje, më detyruan duke më goditur të thosha se kisha në listë njerëzit që isha dërguar për të vrarë, por unë nuk pranova të thosha këtë gjë në miting, megjithëse më godisnin. Kam fiksuar që në ditët e para më kanë qëlluar Ristan Lapa dhe personi që na ka bllokuar rrugën në Qafë-Gjashtë dhe mësova aq ditë sa ndenja në Sarandë se e thërrisnin Bubeqi.