E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet harta e sipërfaqes nën ujë

14/01/2010  Normalizohet gjendja në tri lagjet e Shkodrës
Shifra arrin në 11400 ha të përmbytur
TIRANE- Përmbytjet në ultësirën e Nënshkodrës vazhdojnë të sjellin dëme materiale, por fatmirësisht asnjë njerëzore. Dita e 16-të e vërshimit të ujit në të mbjellat dhe shtëpitë e banorëve të kësaj zone ka qenë tepër e rënduar në disa komuna, ku niveli i ujit është ngritur ndjeshëm dhe për pasojë harta e tokave të përmbytura është zgjeruar. Shifra ka shkuar në 11400 hektarë tokë nën ujë, nga 10 mijë që ishte dy ditë më parë. Disi më e qetë duket gjendja në tri lagjet e brendshme të qytetit të Shkodrës, ku pas vënies në punë të disa pompave maqedonase është bërë e mundur ulja e nivelit të ujit dhe normalizimit të situatës. Për të larguar sasinë e madhe të ujit në këto zona, dje në grykëderdhjen e lumit Bunë ka filluar punimet një dragë, e cila aktualisht po pastron pjesët e ngurta që ndodhen në shtratin e këtij lumi. Sipas specialistëve, inertet dhe llumi i tepërt në këtë lumë janë faktori kryesor që ka sjellë përmbytjen në zonën e Shkodrës. Ndërkohë lidhur me këtë situatë një grup ekspertësh të Mbrojtjes Civile Italiane inspektuan dje argjinaturat përgjatë lumenjve Drin, Bunë dhe Kir. Të shoqëruar dhe nga ekspertë shqiptarë, ata inspektuan argjinaturat në Reç, Gur i Zi, Vau i Dejës, Dobraç, Ças dhe Ana e Malit. Inspektimi i ekspertëve italianë bëhet me qëllim shqyrtimin e mundësisë së ndërhyrjes për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve në zonën e Shkodrës. Nga ana tjetër, Komisioni Ndërministror ka vazhduar dje me shpërndarjen e ndihmave për njerëzit dhe bagëtitë, si dhe evakuimin e banorëve që ndodhen në rrezik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›