E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret ambasadorin e ri japonez: Zhvillim më të madh të marrëdhënieve

Tiranë, 14 Janar, 12:52, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Japonisë, Hiroyaso Ando, i cili paraqiti Letrat Kredenciale.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re e të rëndësishme, Presidenti Topi vuri në dukje se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona kanë shënuar arritje pozitive gjatë viteve të fundit, duke vlerësuar njëkohësisht se rritja e dialogut politik dhe e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, do të kontribuonin në thellimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Gjithashtu Presidenti Topi, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të sfidave integruese dhe realizimit të aspiratave të Shqipërisë për t’u bërë së shpejti anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe më pas e Bashkimit Europian, nënvizoi mundësitë që ofron vendi ynë për tërheqjen e investitorëve të huaj në përgjithësi, dhe atyre japonezë në veçanti. Kreu i shtetit shqiptar theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe akademike në fusha si infrastruktura, bujqësia, telekomunikacioni, energjia, shkenca, etj.

Ambasadori Ando, pasi e falenderoi Kreun e shtetit për mikpritjen e mbështetjen e plotë gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i vlerësoi si shumë të mira dhe miqësore marrëdhëniet dypalëshe duke shprehur gatishmërinë e tij për thellimin dhe zgjerimit e tyre të mëtejshëm edhe në të ardhmen në fusha si infrastruktura, shëndetësia, shkëmbimet akademike dhe kulturore, etj.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›