E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret gazetarët: Takimi i fundit me ju!

Për presidentin aktual, ky është takimi i fundit për këtë rast, pasi në vitin e ardhshëm i mbaron mandati i Presidentit, ashtu sikurse e tha edhe ai vet.

“Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi, sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rrotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë patur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu”, tha ai.

Duke vlerësuar rolin e medias, Topi tha se sot këto kanale komunikimi janë shumë të rëndësishme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve dhe në diasporë. “Është një mjet për të ruajtur së pari dashurinë për atdheun, dashurinë për gjuhën, dashurinë për traditën dhe historinë dhe është një motiv shumë i fortë që ata të ndihen kudo si qytetarë si në Shqipëri, në Amerikë, në Australi, pra, të gjitha ndjesitë që vijnë nga ata janë të tilla sikur ata jetojnë këtu. Madje, ndonjëherë, në mënyrë paradoksale do të shikoni njerëz më të informuar kur jetojnë larg, se sa ata që e jetojnë realitetin çdo ditë dhe e shikojnë me sytë e tyre”, vijoi.

Në këtë kontekst, Presidenti dha edhe një mesazh për mediat, që sipas tij, “duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, më shumë profesionalizëm dhe atë që ndoshta ne për hir të elegancës së komunikimit, apo për hir të mesazheve diplomatike, shpeshherë nuk e themi, publiku i thjeshtë e thotë, njerëzit e thjeshtë e konstatojnë”.

E këtu, ai përmendi edhe Radio-Televizionin Publik Shqiptar. “Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për t’i shërbyer më shumë vitit që vjen që ky Televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontigjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun”, tha gjithashtu. Në fund, ai uroi të gjithë shqiptarët që në vitin e ardhshëm të përmbushet ëndrra evropiane për të marrë statusin e vendit kandidat. /Start/

                                                                                             2011-12-22 13:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›