E Diel, 1 Nëntor 2026

HRW: Drejtësia, institucioni më i dobët në Kosovë

PRISHTINE- Raporti vjetor i HRW për Kosovën vë në pah se problemet kryesore të Kosovës kanë të bëjnë me drejtësinë. Mungesa e një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi statusin vazhdon të pengojë përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të banorëve të Kosovës, shkruan në raportin e fundit Human Rights Watch. I gjendur në mesin e kundërthënieve mes vendeve anëtare të BE-së, nga njëra anë, dhe në mesin e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës e Beogradit, nga ana tjetër, EULEX-i gjatë vitit 2009 u përpoq të vendosej në gjithë Kosovën dhe të ushtronte detyrat e caktuara për ndërtimin e një sistemi gjyqësor. Autoritetet e Kosovës dështuan sërish të demonstronin angazhimin e pakusht për të respektuar të drejtat e pakicave dhe shtetin ligjor. Situata e paqëndrueshme politike, vazhdimi i incidenteve ndëretnike në disa zona dhe vështirësitë ekonomike kanë dëmtuar kthimin vullnetar. Komisariati i Lartë për Refugjatë, UNHCR, thekson se serbët, romët dhe shqiptarët, në zonat ku janë pakicë, kanë ende nevojë për mbrojtjen ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2008, autoritetet kosovare morën përsipër përgjegjësitë për të menaxhuar kthimin nga vendet e treta, apo kthimin e detyrueshëm, rol që më parë e kishte luajtur UNMIK-u. Pavarësisht energjisë dhe optimizmit që solli vendosja e EULEX-it, sistemi gjyqësor mbetet pjesa më e dobët e institucioneve të Kosovës. EULEX-i duhet të vendosë përparësitë në mesin e rasteve të mbetura që nga trazirat e vitit 2004 dhe zhvillimit të një strategjie për të trajtuar numrin e madh të rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte, të cilat i ka trashëguar që nga UNMIK-u. Mangësitë në mbrojtjen e dëshmitarëve vazhdojnë të pengojnë drejtësinë në rastet më serioze. Dëshmitarët për krime të rënda nuk janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi druhen për sigurinë e tyre. Kosova ende nuk ka një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve, por edhe masat mbrojtëse që janë në dispozicion, nuk zbatohen. Në mesin e rasteve të papërfunduara, sipas raportit, është dhe ai për vrasjen e dy veprimtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje”. Ndarjet që ekzistojnë rreth statusit të Kosovës në mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, e vështirësojnë situatën.(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›