E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret presidentin e ekipit të Real Madridid

Presidenti Topi ka pritur sot Presidentin Florentino Perez, drejtues dhe ish-futbollistë të Klubit Sportiv spanjoll të Real Madridit, të cilët janë në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin tonë të futbollit "Gramozi". Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse.
Pasi u përshëndet dhe i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Presidentit të këtij klubi futbollistik, Florentino Perez, trajnerit të ekipit "Real Madrid", Manuel Pelegrini, si dhe disa prej drejtuesve dhe ish-futbollistëve të kësaj skuadre, të mirënjohur nga dashamirësit dhe tifozët e futbollit në mbarë botën për talentin dhe virtuozitetin e tyre si Emiljo Butragenjo dhe Horge Valdano, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi mesazhin e madh njerëzor të solidaritetit për zonat e përmbytura në veri të Shqipërisë, së cilit i bashkangjitet edhe skuadra legjendare e Realit të Madridit.
"Kam kënaqësinë e veçantë që në prani të Presidentit të Real Madridit, zotit Florentino Perez, në prani të Ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Shkëlqesisë së Tij, zotit Montobio, në prani dhe të përfaqësuesve më të lartë të klubit të Real Madrid i jap mesazhin e mirëseardhjes të këtij klubi historik, i cili padyshim po përjetohet me shumë interes jo thjesht nga sportdashësit, por nga e tërë shoqëria" u shpreh Topi.
Nga ana e tij presidenti i Real Madridit Perez theksoi se futbolli dhe çdo lloj sporti është mision i madh qytetar dhe kjo vlen më shumë për një klub historik siç është Reali i Madridit. "Ne ju falenderojmë që jeni të pranishëm në Tiranë dhe ky event koinçidon me atë raport të shkëlqyer që ne kemi me Spanjën, e cila në këtë periudhë kryeson edhe Presidencën e Bashkimit Evropian" theksoi Perez.
"Së fundi, dëshiroj t'i shpreh ngushëllimet Presidentit të Republikës për humbjen e këtij lojtari legjendar të Shqipërisë, të cilin do ta përkujtojmë sot pasdite në fushën e lojës dhe padyshim që ai do të jetë gjithmonë gjallë dhe i pranishëm në mendjet e të gjithë sportdashësve shqiptarë. Ju falemnderit shumë për këtë mikpritje të mrekullueshme!" theksoi më tej Perez

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›