Topi rikthen në Kuvend ligjin për akcizën
Presidenti Bamir Topi ka rikthyer për t`u shqyrtuar në Kuvend ligjin për akcizat i cili u miratua në 24 mars të këtij viti. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të presidencës ku theksohet se shkak për kthimin e ligjit për akcizën lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar dhe shtojcës bashkëlidhur këtij ligji.
“ Kuvendi i Shqipërisë, më datë 23 mars ka miratuar ligjin nr. 10 404, datë 24.03.2011 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, më lejoni t`iu bëj me dije se kam vendosur të mos e shpall, por, ta kthej edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend” thekson presidenti në njoftimin e tij.
Sipas kreut të shtetit ky rregullim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.7.2006 "Për ratifikimin e "Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare".
“Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit ndër të tjera parashikon se "që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë". Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës” thuhet në deklaratën e Topit.
Sipas tij, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas.
“Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lire” përfundon Topi.