Topi rikthen një të rrëzuar për në Gjykatën e Lartë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjedh tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një të kaluar politike në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar dje nga kreu i shtetit si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por Bici ka qenë edhe pjesë e listës së “gjashtëshes” që u rrëzua nga mazhoranca dy vjet më parë. Presidenti, siç bëri edhe me rastin e Altina Xhoxhajt, edhe kësaj here i dërgon Kuvendit një tjetër emër të rrëzuar, duke e motivuar me CV-në profesionale. Të tre emrat e emëruar nga Topi kanë një profil të qartë, pasi kanë eksperiencë të gjatë pune në sistemin e drejtësisë dhe kanë qenë si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu, Medi Bici, i cili ka filluar karrierën e gjyqësorit pas vitit 1990, ka punuar si gjyqtar i Shkallës së Parë në Tiranë, më pas gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vexhi Muçmataj njihet si drejtues dhe pjesëtar i organit qendror të akuzës pasi ka 13 vjet që punon në Prokurorinë e Republikës. Për një kohë të gjatë, z. Muçmataj ka qenë prokuror i Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërkaq, anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë, Sokol çomo ka qenë kryetar i Gjykatës së Tiranës për disa vite dhe anëtar i Këshillit të Lartë i Drejtësisë. Në vitin 2008, rrëzimi i gjashtë gjyqtarëve të emëruar nga Presidenti u quajt si një hakmarrje ndaj veprimit të Presidentit Topi, që dorëzoi në Kuvend pa u konsultuar më parë me forcat politike kandidatët për Gjykatën e Lartë. Ndonëse votimi ishte i fshehtë, votat e grupit demokrat dhe disa aleatëve bllokuan miratimin e Altina Xhoxhaj, Artan Zenelit, Kristaq Trajës, Medi Bicit dhe Zamir Podës.
Madje kandidatura e Medi Bicit mori numrin më të lartë të votave kundër, duke marrë dhe “Jo”-në e disa deputetëve të opozitës, për të mos qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Medi Bici u votua me 86 vota kundër, 40 pro dhe 4 abstenim. Në atë kohë rrëzimi i kandidaturave shkaktoi dhe reagime të forta nga ana e ndërkombëtarëve. Po dje, në Presidencë, kanë bërë betimin
anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, të cilët u miratuan nga Kuvendi të enjten e shkuar. Në ceremoninë zyrtare të rastit ishin të pranishëm kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, dhe anëtarët e tjerë të kësaj gjykate.