E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Kosta ishte vendim politik

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të lejojë që në majën e sistemit të drejtësisë së vendit të ngjiten figura të cilat kanë qenë pjesë e gjyqeve politike në kohën e diktaturës. Kjo ishte deklarata që bëri dje kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, duke i kthyer përgjigje edhe akuzave të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në drejtim të demokratëve në kuadër të rrëzimit të kandidaturës së Vangjel Kostës për Gjykatën Kushtetuese. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike”, deklaroi Patozi, duke shtuar se PD nuk do të pranojë në radhët e gjyqësorit as persona të cilët kanë mbajtur poste qeveritare gjatë pluralizmit. Në këtë kuadër, në rastin e kandidaturës së Kostës, ajo ishte rrëzuar për arsye të pastra politike. “Nuk besoj se është ndonjë gjë e re për publikun po të them se votimi në këtë rast ka qenë politik, siç janë të tilla vendimet që merren në të gjitha parlamentet demokratike të botës”, theksoi Patozi. Sipas tij, mbrojtja që Edi Rama po i bën kësaj kandidature të rrëzuar mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›