E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi shkarkon 2 prokurorët e Kurbinit

Presidenti i Republikës Bamir Topi i rikthehet dekreteve të shkarkimeve dhe emërimeve në prokurori dhe në ushtri. Me propozim të prokurores së përgjithshme Ina Rama dhe me firmë përfundimtare të kreut të shtetit janë shkarkuar nga detyra e prokurorit Tom Deda, i cili ishte me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin si dhe kolegu i tij Bardhyl Shehu, po në këtë organ akuze. Ndërkohë burime nga prokuroria e përgjithshme bënë të ditur se arsyeja e shkarkimit të Dedës është për shkelje të ndryshme proceduriale që prokurori ka kryer gjatë punës së tij në prokurorinë e Kurbinit. Kështu në fund të muajit korrik këshilli i prokurorisë ka vendosur që të shkarkojë nga detyra prokuroin Deda për shkak se ka kryer shkelje gjatë punës së tij. Por shkarkimet në prokurori zhvendosen në Ministrinë e Mbrojtjes të cilat janë shoqëruar edhe me emërime. Sipas njoftimit të presidencës Kapiten i Rangut i, Kristaq Gërvenji, Komandant i Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është shkarkuar nga kjo detyrë dhe është emëruar Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Kundëradmiral Kudret Çela, Zëvendëskomandant i Komandës së Forcave të Bashkuara është shkarkuar nga kjo detyrë dhe është emëruar Komandant i Forcave Detare, të Forcave të Armatosura. Ndërkohë gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi, i cili ka drejtuar Komandën Mbështetëse është shkarkuar nga kjo detyrë dhe është emëruar në vend të Kudret Çelës Zëvendëskomandantit të Komandës së Forcave Bashkuara, të Forcave të Armatosura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›