E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Është koha për paqe dhe dialog

Më shumë dialog mes palëve dhe komunikim njerëzor, pasi kjo është shumë e rëndësishme për një vend që inspiron të aderojë strukturat evropiane. Ky ishte mesazhi që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u drejtoi dje publikisht besimtarëve të krishterë pas një vizite të zhvilluar në mjediset e Kishës Ortodokse në kryeqytet. “Në këtë ditë uroj dialog për të gjithë, pavarësisht profesioneve”, - tha kreu i shtetit në fjalën e tij, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë edhe krizës politike që ka kapluar dy kampet kryesore në vend, të cilat ende nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët të dialogut mes tyre. Pikërisht në ditën e lindjes së Krishtit, Presidenti Bamir Topi bën apel për paqe dhe dialog. Pas një vizite në Kishën Ortodokse, ku u prit nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos, Presidenti Bamir Topi theksoi se të gjithë qytetarët duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit besim, paqe e dialog. “Duhet me shumë komunikim njerëzor, pasi është tepër i rëndësishëm për një vend si ne”, - u shpreh Topi. Ndërkaq, përmes një mesazhi dërguar Kryepeshkopit ortodoks, Anastas Janullatosit, dhe Arqipeshkvit të Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, Presidenti i Republikës ka pohuar se në ditën e shenjtë të Krishtlindjes, ai u përcjell të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë urimin që drita e shpresës të ndriçojë jetët e tyre dhe që paqja e shpirtit t'i shoqërojë çdo çast. Sipas Topit, krishtlindjet janë një frymëzim dhe burim mendimi e urtësie për të gjithë që sot më shumë se kurdo t'u gjendemi pranë atyre që përjetojnë vështirësi, sëmundje e dobësi njerëzore, për t'u dhuruar momente qetësie, gëzimi, dashurie e për t'u transmetuar mesazhe shprese e besimi për një jetë dhe të ardhme më të sigurt e më të mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›