Topi: Është koha për të bërë diferencën mes njerëzve të anshëm dhe të paanshëm në drejtësi
Presidenti Bamir Topi dekoroi sot përfaqësuesen e OPDAT në Shqiëpri, Cynthia Eldridge. OPDAT është një misioni amerikan, i ngritur për të asistuar drejtësinë në vende të tjera të botës. Në ceremoni ishte edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe kryeprokurorja Ina Rama.
Duke folur përpara të pranishmëve, Topi tha se duhen diferencuar njerëzit e anshëm dhe të paanshëm në drejtësi.
Shqipëria është përpara sfidës së radhës për integrim. Padyshim progresi i bërë dhe detyrat që ne kemi për tu përmbushur lidhen së pari me standardet më të larta të shtetit ligjor. Por e gjithë kjo punë sigurisht bëhet çdo ditë me shumë profesionalizëm, me shumë komunikim nga njerëzit e thjeshtë të sistemit të drejtësisë. Unë dua të vlerësoj të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm me integritet dhe të paanshëm që i bëjnë nder sistemit të drejtësisë. Është koha për të bërë diferencën me njerëzit e pakualifikuar, të anshëm dhe pjesëmarrës në afera politike dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve profesionistë. Kjo është detyrë e vështirë por e mundur por kjo betejë duhet të zhvillohet nga të gjithë institucionet, theksoi Topi.
Presidenti i bëri thirrje politikës që të ofrojë legjislacionin e duhur për reformën në drejtësi.
Kreu i shtetit vlerësoi punën e çmuar në sistemin e drejtësisë të përfaqësueses së OPDAT-i në Shqipëri Cynthia Eldridge. Dëshiroj të vlerësoj të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të Cynthia që është konsulente e OPDAT-it pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë. Këtë e kam ndjerë tek prokurorët që flasim me shumë respekt dhe me shumë mirënjohje. Për atributet tuaja dhe me dëshirën e madhe dëshiroj ta vlerësoj punën tuaj me Medaljen e mirënjohjes dhe tek motivimi padyshim është edhe e gjithë mbështetja që vjen nga kolegët për ju, shtoi Topi.