E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takim me Ina Ramën, Shaqirin dhe Hysni Burgajn

Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar sot një takim me kreun e SHISH-it Bahri Shaqiri, prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë Hysni Burgaj.

I pari që ka mbërritur në presidencë ka qënë kreu i SHISH-it, Shaqiri e pas tij ka hyrë edhe kryeprokurorja Ina Rama dhe drejtori i përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj.

Takimi i cili është zhvilluar në presidencë ka zgjatur vetëm 20 minuta ndërsa në qëndër të takimit mes Topit dhe krerëve të këtyre instucioneve të rëndësishme të jetë atentati ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

"Kryetari i Shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur sot gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër"- thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidenti i Republikës ka inkurajuar të gjithë punonjësit e zbatimit të ligjit që të kryejnë me guxim e profesionalizëm detyrën e tyre fisnike në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
 

Ndërkohë mësohet se drejt Vlorës është nisur edhe ministri i drejtësisë Eduart Halimi i cili do të informohet nga afër për ngjarjen kriminale të ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin bregdetar ku si pasojë e një atentati ndërroi jetë gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›