Ambasadori i OSBE-së: Për 21 janarin, asnjë rezultat i prekshëm
TIRANË Për atë çka ndodhi më 21 Janar, ku u vranë katër persona, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, thekson, se deri më tani, nuk ka asnjë rezultat të prekshëm. “Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht, se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave, vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve, që tashmë janë në proces e sipër...” , thuhet në raport. Të gjitha palët, sipas ambasadorit, duket se e kuptojnë tashmë se sjelljet e secilës prej tyre në këtë periudhë nuk ndihmuan shumë për të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. “Deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as komisioni hetimor parlamentar, nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të prekshëm”, thuhet në raport.