E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, takime sot kokë më kokë me Berishën dhe Ramën

Presidenti vazhdon sagën e negociatave mes palëve

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka parashikuar një axhendë të ngjeshur takimesh të nivelit të lartë në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në vend. Burime zyrtare nga Presidenca bënë të ditur dje se gjatë paradites së sotme janë parashikuar takime të kreut të shtetit me ambasadorët Lohan e Montobio, si dhe takime të veçuara mes Topit dhe Berishës, si dhe mes Topit dhe Ramës. Takimet pritet të nisin sot rreth orës 10:00 e të vazhdojnë gjatë gjithë paradites. “Duke filluar nga ora 10:00, në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës, Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, do të takohet me ambasadorët Lohan dhe Montobio, si dhe do të zhvillojë takime të veçanta me kryeministrin Berisha dhe me kryetarin e opozitës, Rama”, - bëhet e ditur në deklaratën e Presidencës.
Takimet
Pritet që kreu i shtetit të diskutojë më parë me ambasadorët Lohan e Montobio duke i informuar ata me qëndrimet e kryeministrit Berisha dhe ato të kryetarit të PS-së, Rama, të shprehura në tryezën e zhvilluar ditën e shtunë. Më pas, Presidenti, pasi të njihet me opinionin e dy ambasadorëve të rëndësishëm, të cilët kanë qenë pjesë e negociatave, do të zhvillojë takime të veçanta me Berishën dhe me Ramën. Mësohet se këto takime janë rënë dakord që të zhvillohen pas një sërë negociatash mes Presidencës dhe Kryeministrisë, si dhe mes Presidencës dhe selisë rozë. Presidenti i Republikës duket se nuk u ka dhënë fund negociatave vetëm me mbajtjen e tryezës së të shtunës, por po intensifikon përpjekjet për të gjetur sa më parë zgjidhjen e situatës së vështirë politike në vend. Presidenca konfirmohet se po eksploron tërë mundësitë për të vazhduar dialogun mes krerëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pavarësisht se tryeza e së shtunës nuk prodhoi rezultat konkret për daljen nga kriza, Presidenti e konsideroi të suksesshëm faktin që palët ishin ulur përballë njëra-tjetrës dhe është zotuar të eksplorojë pikat e përbashkëta që do të bëjnë të mundur vijimin e dialogut. Burimet bëjnë të ditur se gjatë takimit të sotëm në Presidencë palëve do t’u bëhen propozime konkrete në përpjekje për të afruar qëndrimet e tyre, që për momentin duken diametralisht të kundërta.
Tryeza
Negociatat mes Berishës dhe Ramës nisën ditën e shtunë, ku prej shumë kohësh ata u takuan sërish në Presidencë, në një takim të drejtuar nga presidenti Topi. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, që zgjati rreth 3 orë, palët nuk arritën në asnjë konkluzion, por thjesht ranë dakord se do të vazhdojnë bisedimet. Ndërsa presidenti Topi, pas takimit vlerësoi si momentin më pozitiv predispozicionin për t’u ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes maxhorancës dhe opozitës. “Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme. Është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj, që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të cilët, në mënyrë të qartë, aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë hap pas hapi në vizionin euroatlantik”, - është shprehur kreu i shtetit pas tryezës së të shtunës. Ai gjithashtu bëri të ditur se negociatat mes palëve do të vazhdojnë në ditët në vazhdim.

PS-ja paraqiti në tryezë një memorandum për hapjen e kutive

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pak minuta para se të ulej në tryezën e dialogut me kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Sali Berisha, i ka paraqitur Presidentit të Republikës, Bamir Topi, memorandumin për zgjidhjen e krizës politike. Në tekst vërehet qartë kërkesa për hapjen e kutive, me qëllim hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në memorandum, Partia Socialiste dëshmon vullnetin për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës politike, që siç theksohet në tekst, i ka rrënjët në deformimin e votës së popullit. Duke iu referuar kërkesës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për hetim të zgjedhjeve dhe kthimin e opozitës në Parlament. Sipas memorandumit, PS-ja vlerëson përpjekjen serioze të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të mos u mjaftuar me konstatime dhe rekomandime në adresë të palëve, por për të përfshirë përmes një adresimi të qartë Presidentin e Republikës në rolin e garantit të një tryeze dialogu mes palëve. PS-ja thekson në memorandum se nuk është bojkoti që ka shkaktuar krizën, por është kriza që ka shkaktuar bojkotin. Memorandumi u adresohet kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë, si ai i Këshillit të Europës, Helmut Lohan, i SHBA-ve, John Withers dhe ambasadorit të Spanjës, vend që kryeson këtë vit BE-në, Manuel Montobio. Në memorandum PS-ja argumenton se rrënjët e kësaj krize nuk qëndrojnë te mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, por te deformimi i vullnetit të zgjedhjeve dhe shkelja e garancive ligjore gjatë procesit zgjedhor. Siç shprehet PS-ja, marrja parasysh e kërkesave të saj nuk do të sillte bojkotin e Parlamentit, por me siguri do të kishte forcuar besimin te ligji dhe institucionet, duke lehtësuar krizën e rëndë të shtetit të së drejtës. “Në të gjithë këtë proces ne kemi qenë qysh në krye të herës të gatshëm për dialog dhe për një zgjidhje që vjen nga rruga e bisedimit dhe e mirëkuptimit. Ky mirëkuptim mund të gjendet duke pranuar bashkërisht që hetimi i zgjedhjeve të shkuara është një parakusht për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve në të ardhmen dhe për të bërë më në fund që edhe Shqipëria të votojë e të zgjedhë normalisht si kudo në rajon dhe në Europë”, - shprehet PS-ja në memorandum. Sipas saj, përmes këtij procesi transparence pa kushte, shqiptarët do të fitojnë përfundimisht.

Presidenti Topi vlerëson punën e bërë nga Avokati i Popullit, Dobjani

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, prit dje në një takim Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, të cilit i përfundon së shpejti mandati ligjor i ushtrimit të detyrës së tij në krye të këtij institucioni. Pasi e falënderoi për punën e mirë gjatë gjithë këtyre viteve në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, Presidenti Topi e përgëzoi zotin Dobjani për përfundimin me sukses të mandatit të tij të dytë. Duke shprehur edhe vlerësimet e institucioneve homologe ndërkombëtare, presidenti Topi theksoi se “e konsideroj një vlerë të madhe krijimin e institucionit të Avokatit të Popullit dhe përparimin e tij hap pas hapi. Puna e dobishme e këtij institucioni të pavarur duhet të shërbejë si model dhe si nxitje që ju dhe pasardhësit tuaj të vazhdoni misionin e nisur”.
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, pasi e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për takimin dhe pritjen, i dorëzoi edhe një kopje të raportit vjetor që më parë ishte depozituar edhe në Parlament. Gjithashtu, zoti Dobjani, duke siguruar se institucioni i drejtuar nga ai do të vazhdojë punën me të njëjtin përkushtim, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur institucioni i Presidentit të Republikës me atë të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar faktin se “ndihmesën dhe mbështetjen e Presidentit, edhe atë ta paraardhësve, e ka ndjerë nga afër, veçanërisht atë të presidentit Topi”.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›