E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Politika të tejkalojë ngërçin politik, mbështesim tryezën e Presidentit

Presidenca e Bashkimit Europian ka përshëndetur dje nismën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për organizimin e tryezës së dialogut mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, në një moment kur opozita prej gjashtë muajsh qëndron jashtë Kuvendit dhe hyrja në institucionin legjislativ varet nga plotësimi i kërkesave për transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të 28 qershorit.
Në një deklaratë BE-ja thekson se mirëpret edhe përgjigjen pozitive për tryezën.
“Bashkimi Europian rikonfirmon perspektiven europiane të Shqipërisë dhe inkurajon veprimet që sigurojnë hapat e mëtejshëm të vendit. Në këtë kontekst, ngërçi politik duhet të tejkalohet nga lidershipi shqiptar”, - thuhet në deklaratën e Presidencës së BE-së. Ndërkaq, edhe komisioneri i KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, gjatë një leksioni të mbajtur dje në Universitetin e Vlorës, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund ngërçit politik. Madje Lohan ka shtuar se situata në Shqipëri po ndiqet me vëmendje nga komisioneri për Zgjerimin në BE, Shtefan Fyler. Pas një leksioni që ai dha në lidhje me politikat europiane të zgjerimin në Universitetin e Vlorës, Lohan bëri të ditur për mediat se tryeza e thirrur nga presidenti Bamir Topi është mirëpritur në Bruksel. “Personi që në Komisionin Europian merret me zgjerimin, Shtefan Fyler, po e ndjek nga afër situatën në Shqipëri. Ai ka mirëpritur tryezën e thirrur nga presidenti Bamir Topi, gjithashtu edhe dëshirën e të dyja palëve, kryeministrit Berisha dhe shefit të opozitës Rama, për të marrë në konsideratë në mënyrë të përbashkët gjetjen e një zgjidhjeje për situatën. Sepse janë pikërisht udhëheqësit politikë të Shqipërisë që duhet të gjejnë një zgjidhje dhe do ta bëjnë këtë pa dyshim duke pasur parasysh të ardhmen europiane të Shqipërisë, si dhe interesat e vendit”, - është shprehur Lohan.
Lohan i është përgjigjur edhe pyetjes se sa ndikon në procesin e integrimit konflikti politik. “Ajo që shikojmë ne është se sa përpjekje të shpejta do të bëhen nga Shqipëria për të zgjidhur këtë krizë, por mbi të gjitha për të zgjidhur problemin e një parlamenti jofunksional, për shkak se gjysma e tij nuk merr pjesë, si dhe për të shikuar se çfarë impakti do të ketë kjo në përgatitjen e opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë”, - është shprehur Lohan.

Topi takon kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, vlerësohen marrëdhëniet midis dy vendeve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, të cilit i shprehur vlerësimin për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve. Në vijim të bisedës, bashkëbiseduesit vlerësuan se një element domethënës në kuadër të realizimit të reformave integruese është dhe rritja e kontakteve dhe shkëmbimi i përvojave në nivele specialistësh e më gjerë ndërmjet strukturave parlamentare të dy vendeve respektive. Presidenti Topi theksoi në këtë takim se, “në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave që Shqipëria po përpiqet të arrijë me BE-në, shpreh besimin se kjo do të rriste kontaktet mes popujve tanë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe do t’i japë më shumë shtytje intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në sektorin ekonomik e turistik, në ruajtjen dhe shfrytëzimin më të mirë të mjedisit dhe pasurive natyrore etj.”, - nënvizoi presidenti Topi. Kryeparlamentari malazez Krivokapiç, pasi falënderoi presidentin Topi për pritjen, theksoi se takime mes politikanësh në nivelet e larta thellojnë dhe nxisin bashkëpunimin parlamentar duke ndihmuar ecjen përpara në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Krivokapiç vlerësoi dhe përgëzoi për hyrjen e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›