Topi takon Westin, vlerëson punën e FMN
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje përfaqësuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, An-Margret Westin, e cila largohet nga vendi ynë me përfundimin e misionit të FMN-së. Gjatë takimit, kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Fondi Ndërkombëtar Monetar ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit për një zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik, nëpërmjet monitorimit, ekspertizës, asistencës teknike, dhënies së këshillave mbi politikat e ndjekura dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar. Kreu i shteti shqiptar, Bamir Topi, i shprehu An-Margret Westin konsideratën e tij të lartë për angazhimin dhe punën me përkushtim e profesionalizëm në përmbushjen e detyrës së saj në krye të misionit të FMN-së në vendin tonë dhe i uroi suksese në përgjegjësitë e reja, që e presin. Ndërsa përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga shteti shqiptar dhe për bashkëpunimin e frytshëm mes FMN-së dhe autoriteteve shqiptare në përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave të tyre të përbashkëta. Përfaqësuesja e FMN-së Westin vuri në dukje gjithashtu përshtypjet e saj më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët si një komb vital, me vlera dhe me tradita të rralla, vlerësoi mikpritjen e jashtëzakonshme si dhe theksoi potencialet e mëdha të vendit tonë për t‘u rritur e zhvilluar ekonomikisht, duke pasur parasysh burimet e mëdha natyrore dhe njerëzore. Takimi me Presidentin Topi i përfaqësueses së FMN-së vjen pas takimeve përshëndetëse që ajo ka bërë një ditë më parë edhe me Kryeministrin Berisha. Edhe Berisha e ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për kontributin e dhënë në stabilitetin ekonomik të Shqipërisë për vite me radhë.