E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do të njohim qeverinë jolegjitime

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi ashpër dje pas vendim të Kolegjit Zgjedhor për Qarkun e Beratit, duke paralajmëruar se nuk do të njohë qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Drejtësia, sipas Ramës, nën presionin e Berishës nuk dha drejtësi, por thelloi më shumë padrejtësinë. Ashtu si KQZ, edhe Kolegji Zgjedhor nuk mundi dot t‘i shpëtonte presionit politik, duke dhënë një vendim skandaloz në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor. Ndaj Rama paralajmëroi mosnjohjen e qeverisë që do të dalë, nga kjo maskaradë zgjedhore siç e konsideroi ai.

"Dje Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti", deklaroi Rama. I prirur për të besuar te drejtësia e gjykatësve, Rama shprehu zhgënjimin se vendimi i Kolegjit Zgjedhor degjeneroi më tej procesin zgjedhor. Por nga ana tjetër, kreu i PS-së vuri në dukje se ky fakt e bën më të përgjegjshme opozitën si e vetmja rrugë që kanë njerëzit kur pushteti po mbyll çdo rrugë për demokracinë. "Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat. Por, hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pakërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike", deklaroi kryesocialisti.

Me grabitjen e këtij mandati, Rama vlerësoi se Sali Berisha ka përcaktuar kosto shumë të lartë politike, që duhet të paguajë ai vet dhe qeveria shtatanike, që do të dalë nga këto zgjedhje, të cilat ndryshojnë prej atyre të vitit 1996 vetëm në formë, por jo në thelb. "Kjo e vërtetë e hidhur këtë herë nuk doli në shesh qysh atë ditë si në vitin 1996, nuk ka dalë e gjitha në shesh ende sot, por nuk do të vonojë të dalë në shesh për turpin e madh të të njëjtit njeri, që për pushtetin personal sakrifikon interesat e vendit e të një populli të tërë dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në grabitjen e këtyre zgjedhjeve, apo në ligjërimin e kësaj grabitjeje, qoftë duke dhënë vendime të padrejta, qoftë duke ndërtuar alibi të pavërteta", vijoi kreu socialist. Përballë një panorame të tillë paszgjedhore, ku sipas PS-së, pas KQZ-së edhe drejtësia po degjeneron procesin zgjedhor, është e sigurt që Partia Socialiste do t‘i kundërvihet këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues, pa asnjë rezervë, pa asnjë kompromis, pa asnjë pauzë. Dy ditë më parë Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën ankimore të PS dhe G99 për të rivlerësuar dhe rinumëruar 115 kuti në tre KZAZ të Qarkut të Beratit, si dhe vlerësimin e afërsisht tremijë votave të shpallura të pavlefshme. Sipas trupit gjykues kërkesa është e pabazuar në ligj, ndaj u pa e arsyeshme që kërkesa të mos pranohej. Përmes këtij vendimi u la në fuqi tabela e rezultateve të miratuar më parë nga KQZ.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›