Patozi: PS të mos ushtrojë presione mbi institucionet
Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, i ka kthyer përgjigje dje kreut të PS-së, Edi Rama, lidhur me vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në emër të PD-së, Patozi ftoi kampin socialist dhe veçanërisht kreun e PS-së Rama, që të heqë dorë nga presionet dhe të njohë dhe respektojë vendimet e institucioneve të pavarura të vendit. "Jemi zotuar se do të njohim rezultatin e Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pa ushtruar asnjë formë presioni", u shpreh Patozi. Lidhur me rinumërimin e votave, Patozi u shpreh se "jemi pro çdo rinumërimi të votave, pasi rezultati në çdo rast del në favorin tonë". Nënkryetari i PD-së Patozi e bëri deklaratën e tij pas konferencës së kreut të PS-së, Edi Rama, i cili theksoi se mjafton që dy anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti. Duke dalë në mbrojtje të Kolegjit Zgjedhor, Patozi kërkoi që forcat politike të mos ushtrojnë presione dhe të respektojnë vendimet e institucioneve të pavarura. Numri dy i demokratëve, me anë të një deklarate për mediat, ka dënuar ashpër sulmet e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi Kolegjin Zgjedhor. Në vlerësimin e tij Patozi i ka konsideruar sulmet ndaj Kolegjit Zgjedhor, formë të pastër presioni mbi institucionet e pavarura të shtetit për të ndryshuar me dhunë rezultatin e zgjedhjeve. Drejtuesi demokrat i cilëson këto sulme dhe presione, të cilat kanë për shënjestër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të cilin vetë partia e Ramës ka votuar me konsensus të plotë në Parlament, pa asgjë të përbashkët me konceptin europian dhe perëndimor të respektimit të shtetit ligjor. "Partia Demokratike informon publikun dhe çdo qytetar të interesuar shqiptar se do ta priste me kënaqësi çdo vendim për rinumërim të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, pasi ka bindjen absolute se një gjë e tillë veçse mund t‘i shtonte vota rezultatit të saj fitues në zgjedhjet e 28 qershorit", u shpreh Patozi. Por nga ana tjetër, vijoi ai, ajo është e vendosur të respektojë ligjin dhe çdo vendim të bazuar në Kodin Elektoral, si dhe sovranitetin e pacenueshëm të Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në emër të Partisë Demokratike, Patozi ftoi Ramën dhe Partinë Socialiste që të heqin dorë nga sulmet dhe presioni mbi sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, duke pranuar me qetësi dhe mënyrë të qytetëruar vendimet e tyre të bazuara në ligjet e vendit. Për nënkryetarin e PD-së, "çdo përpjekje për të akuzuar dhe sulmuar gjithkënd, pas rezultatit të qartë të këtyre zgjedhjeve, nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dëshpëruar e Ramës për të shmangur dhe fshehur përgjegjësinë e humbjes".