Rezultati final pritet të shpallet brenda muajit
Bazuar në ecurinë e shqyrtimeve të ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, në fund të muajit korrik, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve shoqëruar kjo me një sërë detajesh e hollësish që lidhen me këtë proces. Pas këtij akti, procesi zgjedhor merr fund dhe subjektet politike fituese kanë të drejtën e vijimit të bisedimeve për të krijuar qeverinë e re. Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e dytë dhe të fundit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor dhe menjëherë pas dhënies së vendimeve, e në rastin kur lihen në fuqi vendimet e KQZ, ky institucion vijon me shpalljen e rezultateve. Pritet që deri më 27 korrik, të marrin fund ankimimet në Kolegjin Zgjedhor dhe ditët në vijim KQZ-ja të vazhdojë me detyrat e saj. Detyrimi për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është parashikuar në pjesën e tretë të Kodit Zgjedhor në nenin 167 të tij, ku thuhet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se pesë ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas pikës 7 të nenit 163 të këtij Kodi dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimimit, sipas këtij Kodi. Momentalisht, KQZ ka shpallur mandatet dhe rezultatin për tetë qarqe, pasi katër prej tyre kanë qenë pjesë e ankimimeve. Ndërsa pritet që sot, KQZ të shpallë ndarjen e mandateve për Qarkun e Durrësit dhe të Fierit për shkak se ankimimet për këto qarqe u bënë pjesë e vendimmarrjes dje. Kështu mbetet vetëm Qarku i Tiranës dhe ai i Shkodrës, dy qarqet që nuk kanë ende një rezultat, vendim që pritet të merret menjëherë pasi Kolegji të vendosë për to. Neni 123 i Kodit Zgjedhor parashikon se KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson tabelën e përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të zonës zgjedhore. Ligji parashikon se vendimi për miratimin e tabelës së rezultatit zgjedhor mund të ankimohet në KQZ bashkë me rezultatin, teksa pritet që KQZ të japë një ide më të qartë të pjesëmarrjes së votuesve në këto zgjedhje, e cila shkon afër 50% sipas rezultateve paraprake. Kushtetuta parashikon se pas shpalljes së rezultatit, fillojnë përgatitjet për krijimin e qeverisë, e drejtë që i takon forcës që ka marrë më shumë mandate. Presidenti emëron Kryeministrin. Ky i fundit, brenda dhjetë ditësh, i paraqet Kuvendit programin dhe kabinetin qeveritar për miratim. Pas miratimit nga Kuvendi, kabineti qeveritar dekretohet nga Presidenti.