Withers: “Mungesa e opozitës në Kuvend, nuk është në të mirë të vendit”
Ambasadori Amerikan, John Withers, bashkë me trojkën e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, prej kohësh ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm për t’i dhënë fund krizës politike në vend dhe për t’i hapur rrugën dialogut institucional. Ai ka qenë pjesë e negociatave mes palëve, madje duke mbajtur peshën më të rëndësishme, pasi dihet që në Shqipëri vlen shumë fjala e përfaqësuesit të SHBA-ve. Gjatë fjalës së tij për mediat, Withers e ka cilësuar bojkotin e opozitës në dëm të proceseve integruese të vendit. Por diplomati amerikan ka theksuar se është i nevojshëm dialogu mes palëve për të arritur kompromisin dhe për të dalë nga kriza politike. “Patëm një takim shumë informativ dhe produktiv me kryeparlamentaren Topalli. Dua të sqaroj se pozicioni i qeverisë amerikane është që do të ishte për të mirën e Shqipërisë nëse dialogu mes aktorëve politikë të arrinte në një kompromis që do t’i jepte fund kësaj situate. Të gjithë e ndiejmë që mosqenia e opozitës në Parlament nuk është në të mirën e vendit. Do të na pëlqente ta shihnim këtë çështje të zgjidhur sepse është absolutisht e rëndësishme dhe një pikëpyetje për politikën shqiptare. Shpresojmë ta zgjidhin sa më parë dhe gjërat të vazhdojnë ashtu siç duhet”, - është shprehur Withers për gazetarët.
10 Shkurt 2010