E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardjan Turku: Mirëpresim bashkëpunimet europiane për kulturën

Në datën 3 prill 2009, në kuadër të Presidencës Greke të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Europës Juglindore u zhvillua takimi i Ministrave të Kulturës të këtyre vendeve. Në takim ishin të pranishëm  ministrat e Kulturës të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë Antonis Samars, Ardjan Turku, Branislav Micunovic, Theodor Paleologu, Nebojsha Bradic, zëvendës Ministri i Kulturës i Bullgarisë Ivan Tokadjiev, si dhe Zyrtarë të lartë të Ministrive së Kulturës të Turqisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë, Ambasadori i  Maqedonisë në Athinë, si dhe përfaqësues të UNESCO-s dhe Këshillit të Europës. Takimi u përshëndet nga Ministri i Kulturës i vendit mikpritës, zoti Antonis Samaras, i cili vlerësoi nismën e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë për krijimin e këtij Këshilli, si dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të këtij Këshilli gjatë Presidencës Shqiptare (2006 2007), Presidencës Kroate ( 2007 2008) si dhe gjatë Presidencës Greke(2008 2009). Fjala përshëndetëse e Ministrit Samaras u pasua nga përshëndetjet dhe prezantimet e angazhimeve të secilit vend anëtar të Këshillit të Ministrave të Kulturës, nga ana e ministrave pjesëmarrës. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fjalën e tij evidentoi rëndësinë që ka ky Këshill në rajonin e Europës Juglindore, në një kohë kur disa prej vendeve anëtare aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Gjithashtu z. Turku nënvizoi rëndësinë që ka kultura, ruajtja dhe përcjella e vlerave kulturore  dhe e trashëgimisë kombëtare për rajonin dhe integrimin e tij Europian.Ministri Turku bëri prezent angazhimin e MTKRS në lidhje me zbatimin e Konventave të UNESCO-s që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe imateriale. Ministri i informoi të pranishmit se në muajin dhjetor 2008, Shqipëria aderoi në Konventën e UNESCO-s. Për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike nënujore (Paris 2001), duke kontribuar edhe më shumë në mbrojtjen e shfrytëzimin racional, shkencor e edukativ të resurseve nënujore. Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim për kërkime nënujore shkencore dhe përgatitjen e një muzeu nënujor në një hapësirë të përshtatshme gjatë bregdetit Adriatiko-Jonian do të ishte  i mirëpritur, theksoi Ministri Turku. Në kuadër të Konventës së Diversitetit Kulturor, ministrat pjesëmarrës u informuan mbi angazhimin e MTKRS në promovimin e kulturës së minoriteteve kombëtare dhe etnolinguistike, kryesisht duke financuar nga buxheti i shtetit aktivitete kulturore të këtyre grupeve. Një shembull domethënës është mbështetja financiare e aktiviteteve kulturore të pakicës rome, në zbatim të një strategjie që është hartuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij minoriteti. Si pjesë aktive e shumë iniciativave rajonale dhe Europiane, Shqipëria ka tashmë dy projekte të konsoliduar (Pazari i Korçës dhe Muzeu i Apolonisë), si pjesë e Procesit të Lubljanës-Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Europën Juglindore, ku mund të thuhet që në këtë mënyrë kontribuojmë të gjithë për vizibilitetin e rajonit tonë nëpër botë. Si rrjedhim i mbështetjes që Ministrat e Kulturës i kanë dhënë në Bukuresht të Rumanisë iniciativës shqiptare për kthimin e shkollës së restaurimit në Tiranë në një qendër rajonale të kategorisë së II-të të UNESCO-s, Ministri Ardjan Turku kërkoi edhe njëherë mbështetjen e ministrave të tjerë për këtë iniciativë, tani që kjo qendër po mbyll me sukses vitin e dytë të funksionimit të saj. Pas diskutimeve të projekteve të prezantuara nga secili vend pjesëmarrës, sugjerimeve  për një Plan Veprimi më efikas, konkret dhe të realizueshëm, në fund  u ra dakord mbi tekstin final të Planit të Veprimit për periudhën prill 2009- prill 2010, periudhë kjo që përfshin Presidencën Malazeze të Këshillit të Ministrave të Kulturës të  Europës Jug Lindore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›