E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schmidt-Necke: "Të përsëriten zgjedhjet në Tiranë"

Situata politike, votat e hedhura gabim dhe rrugët për të dalë nga kriza, janë parashtruar në një intervistë për ekspertin gjerman për Shqipërinë, Michael Schmidt-Necke dhene per Deutsche Welle. I pyetur për pretendimet e secilës palë, sikundër dhe besimin në institucione, ai deklaroi:

“Nuk do të ishte serioze të vendosje se cila palë në këtë konflikt ka të drejtë. Nga ana tjetër është shumë problematike, kur pas një rezultati zgjedhjesh, kur u bë e njohur fitorja e ngushtë e Ramës, papritur një sasi letrash që janë ndodhur në kutitë e gabuara të përmbysin rezultatin. Ka mundësi të ketë ndodhur kështu, por prapë ka vend për dyshime. Pra është e qartë që klima e mosbesimit mes qeverisë dhe opozitës rritet. Këtë vit kemi parë përshkallëzim masiv të situatës politike. Që në këtë moment ishte e qartë se zgjedhjet lokale do të ishin më problematike se të shkuarat”.
 

Ndërsa opozita akuzon qeverinë e Berishës "për kanibalizëm zgjedhor", pasi për të KQZ, është zëdhënëse e Berishës, Michael Schmidt-Necke u shpreh:
“Kjo i kompromenton institucionet në tërësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndodhet në shënjestër të kritikave nga të gjitha anët, por kjo ka ndodhur edhe më parë. Tani e gjitha kjo bie mbi qeverinë, sepse pala tjetër mendon - pra nëse ka pasur manipulime - se këtu ka pasur dorë qeveria. Nuk dua të pretendoj se ka pasur manipulime, por edhe nuk mund ta vë dorën në zjarr se nuk pasur ndonjë manipulim. Për fat të keq Berisha ka një të shkuar jo edhe aq të qartë, sa i përket ndikimit në zgjedhje, po të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996. Por në këtë moment duket se topi ka kaluar në anën e ndërkombëtarëve apo tek ODIHR-i, që deri më tani ka thënë se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë transparente, por klima zgjedhore u përcaktua nga mosbesimi mes partive. Por mbi numërimin e votave në kutitë e gabuara nuk është shprehur”.
 

Në këtë intervistë, eksperti gjerman vë në dukje diferencën mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke shtuar se Shqipëria ka një traditë shumë të dobët demokracie, si demokraci parlamentare.
 

“Që nga krijimi si shtet gati ka njohur vetëm sisteme ose autoritare ose diktatoriale, gjë që sjell që një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare ka një qëndrim refuzues ndaj shtetit, sepse shteti është perceptuar si një instrument represioni dhe jo si formë e organizimit të të gjithë shoqërisë. Për fat të keq kjo nuk ka ndryshuar shumë pas vitit 1990. Shoqëria shqiptare është shumë e polarizuar në kampet e majta dhe të djathta, ku nuk ka dallim mes programeve politike.
 

“Me zgjedhjet lidhet edhe një qëndrim pritës i anëtarëve e përkrahësve të një partie. Pra po qe se fiton partia ime, edhe unë fitoj diçka, një post në administratë, një administratë lokale që drejtohet nga partia ime do të më favorizojë kur të shpërndahen tenderat. Pra me fitoren lidhet shumë më tepër se një interes demokratik, pra çështja se kush do të drejtojë administratën në një qytet të madh si Tirana, për shumë njerëz është një komponente e qartë materiale”.


Schmidt-Necke deklaroi se në këtë situatë, nuk sheh ndonjë zgjedhje afatshkurtër.
“Nuk shoh për momentin një zgjidhje afatshkurtër. Për mua zgjidhja qëndron tek ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve, që në ato minibashki ku ka pasur probleme të përsëriten zgjedhjet, nën një vëzhgim më të fortë ndërkombëtar, që rezultati për humbësin, kushdoqoftë ky, të mos jetë i kontestueshëm. Po qe se nuk bëhet rivotim atëherë mendoj se Shqipëria shkon drejt një konfrontimi më të ashpër, dhe se si mund të zgjidhej ky pastaj, për këtë për fat të keq më mungon tani fantazia”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›