Bushati: Në 2008-ën, shqiptarët paguan më shtrenjtë se në 2005-ën
Nënsekretari socialist për programin politik, Ervin Bushati, deklaroi dje se qytetarët gjatë vitit 2008 konsumuan më pak dhe paguan më shtrenjtë se në 2005-ën. Sipas tij, sasia e ushqimeve dhe mallrave të ardhur nga jashtë për vitin që lamë pas ishte më e ulët, por çmimet e tyre ishin 75% më shumë se në vitin 2005. "Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur mesatarisht me 25% në vit nga 2005, sipas të dhënave të fundit për importet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave", theksoi Bushati. Ai këmbënguli se qeverisja e mangët dhe prania e monopoleve në treg, të bekuara nga qeveria, kanë bërë që gjithçka që blihet të jetë tepër e shtrenjtë, teksa shtoi se rënia e fuqisë blerëse në treg është një problem që rëndon jetesën e familjeve shqiptare sot dhe këto vitet e fundit. "Importet zënë një vend të rëndësishëm në shpenzimet e një familjeje, kur mallrat kryesore të konsumit si: miell, vaj, oriz, naftë etj., vazhdojnë të vijnë nga jashtë vendit. Kjo do të thotë më pak blerje për çdo qytetar, me çmime më të larta dhe një jetë më e vështirë për të gjithë ata që nuk janë brenda planeve të qeverisë në ekonomi", tha Bushati.