Topi:Falenderojmë Aleancën që besoi tek Shqipëria
Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri i vendit Sali Berisha kanë mbajtur fjalim përshëndetës në samitin e NATO-s. Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se " Ne ndodhemi përkrah Jush sot sepse mbetemi, të vendosur të përballemi dhe t'i fitojmë sfidat tona të brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake, sepse, nga sot, kontributi dhe roli aktiv e moderues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit do të kthehet në vlerë të shtuar të investimit për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm të tij, në mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës dhe në shëndoshjen e frymës së bashkëpunimit dhe të politikës së fqinjësisë së mirë për një të ardhme të përbashkët euroatlantike. Ushtarakët e Forcave tona të Armatosura do të jenë, më krenarë se më parë, atje ku NATO do të luftojë për lirinë dhe demokracinë, atje ku siguria dhe paqja do të ndihem të kërcënuara, atje ku kontributi i tyre do t'u shërbejë fitores ndaj terrorizmit global dhe pasurimit të bashkëjetëses së qytetërimeve tona", përfundoi presidenti Topi. Ndërsa, kryeministri Berisha duke përshëndetur vendimin e Presidentit të SHBA Barack OBAMA, për të përqëndruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kam kënaqësinë t'ju informoj se qeveria ime do te shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesembëdhjetë mjekësh dhe infermierësh. Së fundmi, unë dua të përshëndes dhe falenderoj me mirënjohje instititucionet e vendit tim, administratën, forcat tona të armatosura në veçanti, për kontributin e tyre në reformat e suksesshme dhe te rëndësishme, që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri, dhe nuk do të ecin kurrë me të vetëm.
Do ta mbyll duke ju adresuar përshëndetjen më tradicionale dhe të vjetër shqiptare TUNGJATJETA për ju dhe kombet tuaja!