E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsulli italian: Ecuria e procesit të pajisjes me karta ndihmon në liberalizimin e vizave

Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi ka cilësuar të rëndësishme pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta elektronike dhe letërnjoftime elektronike. Arritja me sukses dhe në afatin e caktuar e këtij procesi, do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe zbatimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave. Ndërkohë, Konsulli i Përgjithshëm Italian në Vlorë, vuri në dukje se institucioni që ai drejton, vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm dhënien e vizave për shtetasit shqiptarë. Gjatë vitit të kaluar, konsullata italiane në Vlorë ka dhënë 18 mijë viza për shtetasit shqiptarë, nga 3 mijë viza që janë dhënë gjatë periudhës 2005-2006, tha konsulli Strozzi. Gjatë një vizite në qytetin e Gjirokastrës, diplomati italian ka vlerësuar ecurinë e reformave të deritanishme në vendin tonë, duke u shprehur se aderimi i Shqipërisë në strukturat e NATO-s është produkt i reformave të ndërmarra. Sipas konsullit Strozzi, shqiptarët kanë besim tek qeveria e tyre në sajë të reformave të marra për konsolidimin e institucioneve. Ndërkohë drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në KE, Michael Leigh, ka deklaruar se liberalizimi i vizave varet nga ecuria e reformave si dhe konfirmoi mbështetjen e BE- së për integrimin e Shqipërisë. Një fushë tjetër në të cilën kërkohet më tepër përparim nga Shqipëria, sipas Leigh është edhe ajo që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve dhe përshpejtimin e dhënies së dokumenteve biometrike, i cili sigurinë e dokumenteve e sheh kusht thelbësor për zgjedhjet. Ne presim që të ketë zhvillime në drejtim të liberalizimit të vizave, proces për të cilin ne kemi sjellë edhe monitorues në vend dhe kusht për vizat në rastin e Shqipërisë, mbetet siguria e dokumenteve të identifikimit, u shpreh Leigh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›