E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta viziton në spital poetin e njohur, Xhevair Spahiu

Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në spital, ku ndodhet i sëmurë prej pak ditësh, personaliteti i shquar i letrave shqipe, poeti Xhevair Spahiu. I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, deputeti Spartak Braho dhe anëtarët e Kryesisë Dritan Ylli dhe Gledian Rehovica, Meta takoi nga afër poetin e sëmurë dhe familjarët e tij, ku u interesua në mënyrë të detajuar për gjendjen e Poetit. Më pas Meta takoi edhe mjekun e njohur Mentor Petrela dhe të tjerë mjekë që kanë nën kontroll parametrat shëndetësorë të Xhevair Spahiut dhe bisedoi me to për përkujdesjen që po i bëhet personalitetit të kulturës shqiptare. Më tej, Meta u shpreh se më vjen shumë keq që vij në këtë spital për të vizituar një njeri me shumë vlera për poezinë tonë, për kulturën tonë, për gjuhën tonë dhe për kombin tonë, si Xhevair Spahiu. Megjithatë mbetem me shpresë për kujdesin e mjekëve këtu dhe në interesin e mjekëve dhe të afërmve dhe përfaqësuesve tanë në Romë, që gjendja e tij të sqarohet dhe të vijë duke u përmirësuar. Meta shtoi se të gjithë mezi presim që jo vetëm ta shohim Xhevair Spahiun në këmbë dhe të qeshur, por edhe të dëgjojmë edhe në të ardhmen dhe të shohim vepra të reja nga ai, nga ato vepra që e kanë pasuruar aq shumë poezinë tonë dhe kulturën tonë kombëtare. Unë kam shprehur solidaritetin tim dhe të forcës politike që unë drejtoj, me familjarët e poetit tonë të madh, kam patur rastin të bisedoj me gjithë ekipin e mjekëve dhe me prof. Petrelën dhe do të bëjmë më të mirën që kjo gjendje të përmirësohet, të tejkalohet, pasi mendoj se nuk është vetëm një shqetësim i yni, por është një shqetësim i të gjithëve që janë njohur nga mediat për gjendjen shqetësuese shëndetësore të Xhevahir Spahiut. Meta tha se do të bisedojë edhe me Ministren e Shëndetësisë dhe me Ambasadorin tonë në Romë, që të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga ana e shtetit, sepse një qytetar i thjeshtë  kërkon përgjegjësinë e shtetit në raste të tilla. Aq më tepër kur bëhet fjala për një poet shumë të madh, kur bëhet fjala për një  akademik, për një personalitet i cili ka shumë adhurues anembanë Shqipërisë dhe kombit tonë, vlerësoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›