E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ: Afati i riparimit të listave të zgjedhësve po shkon drejt skadimit

Komisioni Ad Hoc, thërret përfaqësues të kompanisë Sagem, të japin informacion  për kartat e identitetit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informoi komisionin e posaçëm parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor lidhur me përgatitjen e kuadrit normativ ligjor të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani dhe nënkryetarja e tij, Dëshira Subashi, raportuan në komision lidhur me ecurinë e përgatitjeve të procesit paraelektoral, përmes miratimit të një numri vendimesh nga institucioni qendror i zgjedhjeve. Nga ana e tij, KQZ jep alarmin se afati i riparimit të listave të zgjedhësve po shkon drejt skadimit. Duke raportuar para komisionit të posaçëm të monitorimit parazgjedhor, nënkryetarja Dëshira Subashi deklaron se ende nuk ka asnjë të dhënë nga pushteti vendor, duke lënë peng kështu vendimet e organit zgjedhor. "Ka një afat që po shkon drejt skadimit dhe procedura e riparimit të listave fillon e komplikohet sepse humbasin të drejtën e një ankimi administrativ, e një riparimi në gjendjen civile. Ende nuk kemi asnjë të dhënë nga pushteti vendor lidhur me ecurinë e këtij procesi", deklaroi anëtarja e KQZ-së. Një tjetër problem që sipas Subashit rrezikon seriozisht standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit, është stafi i patrajnuar i KQZ, konkretisht 50% e tij. Sipas saj pushteti vendor ende nuk ka ofruar të dhëna paraprake për listat e zgjedhësve, ndërsa theksoi nevojën e krijimit të një rregulloreje të brendshme të KQZ-së. "Një pjesë e tyre, pothuajse janë të rinj, në mos gaboj 50 për qind e stafit është marr në mënyrë urgjente, pa një trajnim në lidhje me procesin zgjedhor, dhe që sigurisht e vështirëson punën e përgatitjen e  këtyre materialeve në të ardhmen", vijoi Subashi. Ndërsa nga ana e tij, kryetari i KQZ, Arben Ristani, ndryshe nga disa ditë më parë, ka përgëzuar partitë politike për ngritjen e KZAZ-ve edhe pse kjo ka ndodhur një ditë me vonesë. Ai bëri të ditur se KQZ kanë ngritur gjithë komisionet zonale për administrimin e zgjedhjeve dhe nënvizoi se konsensusi i partive ka ndihmuar KQZ- në në marrjen e vendimeve të pranuara nga të gjithë anëtarët.  
Pozitë- opozitë, dakord për thirrjen e Sagem për informacion
Komisioni i posaçëm parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor ka kërkuar informacion nga kompaniaSagem Secutity dhe do të thërrasë në një seancë pyetjesh përfaqësues të kësaj kompanie që po merret me prodhimin e kartave dhe pasaportave biometrike. Në këtë komision, si përfaqësuesit e opozitës, ashtu edhe përfaqësuesit e mazhorancës ranë dakord për një fakt të tillë. Në këtë drejtim, deputetë të opozitës pasi u informuar nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, lidhur me ecurinë e këtij procesi, i kërkuan kompanisë "Sagem", që merret me prodhimin e kartave, t'i sjellë parlamentit  informacion për këtë çështje. Edhe pse çuditërisht nuk është parashikuar në kontratë një marrëdhënie llogaridhënieje në parlamentin shqiptarë, maxhoranca ka rënë dakord të mbështesë propozimet e opozitës për ta bërë një gjë të tillë. Deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami tha se ka një paqartësi në dhënien e informacionit për pajisjen me karta, si për formën e informacionit, por edhe për freskinë e tij, ndaj duhet një seancë dëgjimi me përfaqësues të kompanisë. "Kërkuam një komunikim direkt me "Aleat". Ndonëse na është thënë nga Ministria e Brendshme, se sipas marrëveshjes, ajo e ka të pamundur ta garantojë këtë gjë, komisioni ishte i gatshëm të ftojë kompaninë në fjalë. Ne e argumentuam juridikisht se kjo është një kompani koncesionare që kryen një shërbim publik në Shqipëri dhe duhet të vijë në parlamentin shqiptar për të dhënë informacion. Kërkesën tonën e mbështeti dhe kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili shprehu gatishmërinë që të ftohej kjo kompani", u shpreh në përfundim të mbledhjes nënkryetari socialist i komisionit, Kastriot Islami. Sipas deputetit Islami, kjo kërkesë e opozitës, lidhet me faktin se komisioni nuk ka marrë informacion në formatin dhe kohën e kërkuar lidhur me procesin. Edhe maxhoranca nga ana e saj ka rënë dakord për thirrjen e përfaqësuesve të kompanisë, por ndryshe nga opozita është shprehur e kënaqur për ecurinë e procesit të pajisjes me karta identiteti. Ne do ti drejtohemi në formë institucionale dhe kompanisë që të kemi një informim të plotë ndaj kompanisë e cila merret me prodhimin e kartave të identitetit, ndaj dhe në ditët e ardhshme do të kemi informacion lidhur me këtë gjë, u shpreh përfaqësuesi i maxhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›