E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompania CEH, interes për të investuar në Shqipëri në infrastrukturë dhe turizëm

19-04-2012 / Gazeta 55

Presidenti i kompanisë hungareze CEH, Attila Toth u prit në një takim nga kryeministri Sali Berisha
 
Kryeministri Sali Berisha priti zhvilloi dje një takim me një grup investitorësh hungarezë të kompanisë CEH, të kryesuar nga Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i saj Attila Toth, të shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Agjencisë Hungareze të Investimeve dhe Tregtisë Sandor Krankovics dhe përfaqësuesi ekonomik për rajonin në ambasadën hungareze në Malin e Zi, Ervin Szel. Kjo kompani, e specializuar në fushën e projektimeve dhe zhvillimeve urbane, ndërtimit, turizmit, infrastrukturës rrugore, vjen për herë të parë në Shqipëri, për të konkretizuar mundësi reale dhe projekte konkrete investimi dhe bashkëpunimi.
Presidenti Tóth, pasi i shprehu Kryeministrit simpatinë dhe përgëzimet për arritjet ekonomike të Shqipërisë, dhe klimën ftuese dhe me lehtësira të shumta për të bërë biznes, tha se vizita e grupit të tij ishte një hap i natyrshëm që bën çdo investitor, kur ndjen mundësi biznesi dhe investimi.
Prezantimi i potencialeve investuese të Shqipërisë, bërë gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Hungari, tërhoqi vëmendjen dhe bëri kompaninë time, tha ai, të drejtohej drejt Shqipërisë. Ne e shohim Shqipërinë jo vetëm si një vend mik, por edhe si një vend, ku mund të kemi partnerë dhe bashkëpunëtorë në projekte investimesh biznesi.
Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e kompanisë, si dhe ata të qeverisë hungareze dhe Agjencisë së Investimeve për këtë vendimmarrje, në lidhje me projekte investimesh në Shqipëri. Ai garantoi mbështetjen e gjithanshme të strukturave të qeverisë së tij, për të akomoduar projektet e mundshme të kësaj kompanie dhe për t’i kthyer ato në histori suksesi të dyanshëm.
Kryeministri ju prezantoi mundësi konkrete për realizimin e projekt-ideve të tyre në fushën e turizmit, në infrastrukturë, në ndërtim rrugësh si rruga e Arbrit, unaza e madhe e Tiranës, zgjatimi i bulevardit të Tiranës, vepra energjetike si hidrocentrale, si dhe sisteme të ujërave të pastra dhe kanalizimeve.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›