Topi:Është koha për reflektim, vitin tjetër më shumë dialog
Kreu i shtetit Bamir Topi teksa ka uruar të gjithë shqiptarët për Krishtlindje ka theksuar se sot ka nevojë për komunikim dhe reflektim.
Në një prononcim për mediat pas vizitës në Kishën Ortodokse për festën e Krishtlindjes, kreu i shtetit theksoi se shpreson që vitit tjetër të ketë më shumë dialog.
“Dëshiroj të uroj këtë ditë të gjithë besimtarëve të krishterë. Kjo festë ka një simbolikë të madhe, është festa e lindjes së shpresës dhe paqes për t`i hapur rrugë komunikimit. Ka nevojë për refleksion. Unë besoj se viti që vjen do të jetë një vit i mbushur me më shumë dialog dhe arritje për Shqipërinë” theksoi Topi.
Ai ka theksuar më tej si urimi i tij për festën e Krishtlindjes për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, pasi sipas tij kudo që të jenë shqiptarët zemrën e kanë tek Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj.
Më pas presidenti Topi ka vizituar edhe Selinë e Shenjtë Katolike ku theksoi se shqiptarët e respektojnë besimin e njëri-tjetrit dhe kjo është simbolika më e mirë e kësaj feste
“Uroj besimtarët katolikë për këtë ditë të madhe, këtë ditë të bardhë. Çdo vit unë marr mesazhe nga qytetarët për festën por sot kam marrë mesazhe edhe nga besimtarët myslimanë që do të thotë një respekt të madh për besimin njëri-tjetrit, dhe simbolikë më të mirë nuk e gjen ku të gjithë urojnë njëri-tjetrin për një Shqipëri më të mirë” ka theksuar Topi.