Topit dhe Topallit, arsyet pse iu përgjysmuan fondet
Institucionet e Kuvendit dhe Presidencës kanë marrë fonde të mjaftueshme për vitin 2009, ndërsa në krahasim me vitet e kaluara ka një rritje deri në 40 për qind. Qëndrimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, për fondet e shkurtuara ndaj dy institucioneve kryesore në vend, përputhej me kërkesat për shpenzime, që binin ndesh me planin e limitit buxhetor. "Ka një farë shkurtimi të fondeve, por nëse shikojmë vitin e kaluar 2007, ose 2008, të dyja institucioneve u janë dhënë fonde të mjaftueshme. Presidenca mori gati 3 milionë euro për rikonstruksionin e godinës, ndërsa Kuvendi nuk ishte në gjendje të kryente rreth 400 milionë lekë investimeve. Nuk mund të japim çdo vit fonde për investime, pasi institucionet i kanë kryer ato. Për sa u takon shpenzimeve të tjera, për shembull pagat, ne ua kemi rritur, sikurse e vërteton tabela e buxhetit 2009", u tha ministri deputetëve në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat. Më herët, anëtarët e komisionit kishin kërkuar sqarime për reduktimin e fondeve ndaj Kuvendit dhe Presidencës, por ministri sqaroi se këtyre institucioneve u kanë dhënë mjaftueshëm. Duke iu referuar buxhetit 2009, institucionet e drejtuar nga Jozefina Topalli dhe Bamir Topi kishin kërkuar fonde shtesë në masën rreth 300 milionë lekë. Kërkesa e tyre, jo vetëm që u hodh poshtë, por iu reduktuan edhe disa fonde që iu takonin sipas limitit të lejuar nga Ministria e Financave. Ministri theksoi edhe një herë se me fondet aktuale, rreth 210 milionë lekë për Presidencën dhe rreth 950 milionë lekë për Kuvendin e Shqipërisë, janë përmbushur të gjitha detyrimet. Lidhur me këtë, deputetët e Komisionit të Ekonomisë kërkuan nga ministri mendimin e dy institucioneve, por Bode u shpreh i bindur se "janë të kënaqur me aq sa ju dhamë".