E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro premton punësim e aftësim profesional për viktimat e trafikimit

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, vizitoi dje disa nga qendrat publike sociale në kryeqytet. Në Qendrën e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, ministri Duro u takua dhe bisedoi me personelin dhe përfituesit e shërbimit. Kërkesës së të strehuarave në qendër për krijimin e mundësisë për formim profesional dhe punësim, me qëllim integrimin sa më të mirë dhe të shpejtë, ministri Duro iu përgjigj pozitivisht, duke i siguruar se së bashku me Shërbimin Kombëtar të Punësimit do ta plotësonin këtë kërkesë.

Në shtëpinë e fëmijës "Zyber Hallulli", qendër publike rezidenciale për fëmijët e moshës nga 6-15 vjeç, ministri u informua nga stafi se në të aktualisht trajtohen 45 fëmijë me shërbim 24-orësh. Në takimin që zhvilloi me punonjësit e qendrës, Duro tha: "Që mbështetja jonë të jetë rezultative, ajo duhet të mbështetet në kërkesat dhe nevojat e evidentuara nga ju, si dhe nga fëmijët që përfitojnë shërbimin". Me gjithë përmirësimin e kushteve në qendër, stafi u shpreh se tashmë ka ardhur koha të riformatohet struktura e qendrës për ta kthyer atë në qendër moderne të tipit shtëpi-familje, ku fëmijëve do t‘u ofrohen kushte dhe mjedise të ngjashme me ato familjare. Ministri premtoi se do të shihet mundësia që në bashkëpunim me donatorët e interesuar, të sigurohet fondi i nevojshëm.

Vizita e ministrit vazhdoi në qendrën "Bethani", në të cilën u ofrohet shërbim foshnjave dhe fëmijëve të moshës nga zero deri në gjashtë vjeç. Ai bisedoi si me personelin e përhershëm shqiptar, ashtu edhe me vullnetarët amerikanë e kanadezë që shërbejnë në qendër. Ministri theksoi se megjithëse kushtet në këtë qendër janë shumë të mira, gjithmonë ka diçka për të përmirësuar qoftë në mjedise, ashtu edhe në shërbim. Ndalesa e radhës ishte Qendra e të Moshuarve. Ministri Duro i pyeti të moshuarit për nivelin e shërbimit, duke u kërkuar të bëhen pjesë e përmirësimit nëpërmjet një pjesëmarrjeje aktive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›