E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vend të zjarrfikëses, pula dhe lepuj

Reparti i Mbrojtjes nga Zjarri në Gramsh është kthyer në një stallë kafshësh. Në zjarrfikësen e Gramshit mbahen dhe mbarështohen kafshë të ndryshme shtëpiake. Atje mund të gjesh çdo lloj kafshe shtëpie, si derra, pula, lepuj, pëllumba.

Një punonjës i këtij reparti i ushqen dhe kujdeset për ta.

Banorët e pallatit, që ndodhet ngjitur me repartin e zjarrfikësve, ankohen për erën e keqe që i mbyti dhe mizat që i kanë të pranishme në çdo moment.

Sipas tyre, punonjësit e zjarrfikësve fillimisht zunë një pjesë të oborrit, që ndodhet ngjitur me ndërtesën e zjarrfikësve. Fillimisht e mbollën me pemë dhe banorët nuk ankoheshin, sepse pemët u shërbenin të gjithëve. Por, me ndërrimin e punonjësve të këtij reparti, ndryshoi edhe destinacioni i hapësirës që iu mor pallatit. Vendin e pemëve e zuri një kotec apo stallë, siç mund të quhet tashmë, sepse gjen të gjitha llojet e kafshëve.

Kamera e "Fiks Fare" filmoi një prej punonjësve të repartit të mbrojtjes nga zjarri, që ushqente pulat dhe lepujt.

Kur gazetari i "Fiks Fare" afrohet te dera e repartit të zjarrfikësve dhe kërkon që të ndihmojë zjarrfikësit për të ushqyer kafshët, ata mohojnë gjithçka. "Këtu ka vetëm pëllumba, nuk ka as pula, as lepuj", përgjigjet punonjësi i zjarrfikësve.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, banorët e pallateve rreth e rrotull tregojnë se atje janë mbajtur edhe derra, por nuk i fusnin dot brenda dhe prandaj i hoqën.

Nënprefektit të Elbasanit, Gazmor Gurit, i duket e pabesueshme që ambientet e zjarrfikësve të Gramshit të jenë kthyer në një vend për mbarështimin e kafshëve shtëpiake. Ai premton se do ta verifikojë këtë fakt dhe shumë shpejt do të ndërhyjë për ta zgjidhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›