E Diel, 1 Nëntor 2026

Toponimet, Milo: Berisha po na kthen në diktaturë

Intervista / Historiani Paskal Milo, e konsideron propozimin e Berishës për ndryshimin e emrave, si rikthim në diktaturë


Profesor, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë mbledhjes së sotme (djeshme) të qeverisë se do të bëhet ndryshimi i emrave të huaj të njësive vendore.


Në rolin jo vetëm të politikanit, por edhe të historianit, a keni një koment për një nismë të tillë?


Kryeministri vazhdimisht po na befason me ndërhyrjet dhe direktivat e tij në fushën e shkencave albanologjike, pra në historiografi, në toponomistikë dhe mjaft shkenca të tjera, të cilat kërkojnë vërtetë debat dhe profesionalizëm.


Ajo që më bën përshtypje është se z. Berisha u është rikthyer politikave të kaluarës komuniste, kur me porosi të Enver Hoxhës, një numri fshatrash dhe vendesh të Shqipërisë iu ndryshuan emrat, sepse ato ishin të papajtueshme me ideologjinë komuniste dhe me ateizmin e regjimit.


Tani, propozimi i z. Berisha është një version i ri i kësaj politike të vjetër dhe kërkon tashmë jo vetëm të shkruajë historinë bashkëkohore, sipas koncepteve dhe shijes së tij, por kërkon ta shtrijë atë thellë edhe në mesjetën e hershme dhe të mesme, kur Shqipëria, si mjaft kombe dhe popuj të tjerë të rajonit, ka përjetuar invazione dhe pushtime të përkohshme, dhjetëra apo qindra vjeçare.


Po t'i hyjmë kësaj historie, atëherë ne duhet të zhbëjmë jo vetëm një pjesë të mirë të toponimisë aktuale shqiptare, por duhet t'i vëmë kazmën edhe fjalorit të gjuhës shqipe, ku siç dihet, ka një numër të madh fjalësh me prejardhje nga gjuhët e tjera, qoftë edhe të atyre popujve dhe kombeve që kanë ardhur si pushtues në Shqipëri.


E shihni të rastësishme një deklaratë të tillë, apo mos kemi të bëjmë me një qëndrim të mirëllogaritur të Kryeministrit?


Kjo më duket se është një mënyrë tjetër për t'iu shmangur problemeve themelore që ka Shqipëria dhe veçanërisht vendi, përballë detyrimeve serioze që duhen përmbushur në procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku një nga pikat dhe standardet kryesore është dhe respektimi i diversitetit kulturor, etnik dhe gjuhësor dhe i trashëgimisë historike që shpreh këtë diversitet.


Sa e mundur është për t'u zbatuar?


Më duket se kjo është pothuajse krejt e pamundur, sepse në kujtesën popullore, emrat, qofshin të vendeve apo të objekteve të ndryshme, nuk mund të ndryshohen me dekret qeveritar apo të një institucioni tjetër shtetëror.


Po në raport me BE-në, ku ne duhet të integrohemi, por edhe me vendet fqinje, si mund të ndikonte?


Një deklaratë e tillë kam përshtypje se do të ngjallë reagime fqinje dhe miq, të cilët këtë do ta shikojnë si një përpjekje indirekte për të eliminuar një pjesë të mirë të traditës historike dhe integruese rajonale.
Intervistoi:F.B

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›