KLD-ja shtyn procedimet disiplinore për gjyqtarët
Në mbledhjen e djeshme u vendos edhe hapja e shkollës së Magjistraturës për gjyqtar
TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, (KLD), shtyn shqyrtimin e procedimeve disiplinore për disa nga gjyqtarët, për të cilët ishte kërkuar një masë e tillë, ndërsa dy nga gjyqtarët janë rikthyer në punë nga KLD-ja. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së zhvilluar gjatë ditës së djeshme, u miratua hapja e shkollës së Magjistraturës për profilin e gjyqtar, me tetë vende, si dhe është miratuar një projekt dekret i Presidentit të Republikës, për shtimin e numrit të gjyqtarëve të apelit në Gjykatat e Tiranës dhe të Durrësit, duke i pakësuar ato në disa gjykata të tjera të vendit, ku ngarkesa e punës së tyre është e ulët dhe numri i çështjeve për shqyrtim në raport me rrethet e tjera të vendit, është i ulët. Më parë është kryer edhe shtimi i numrit të gjyqtarëve në Shkallën e Parë. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe kërkesa e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për kriteret e transferimit të gjyqtarëve të karrierës. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar vendosjen e disa kritereve, që kanë të bëjnë me vlerësimin e punës dhe rezultateve konkrete të gjyqtarëve gjatë karrierës së tyre. Fillimisht KLD-ja ka kërkuar hapjen e shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2009- 2010. Për këtë vit është kërkuar të ketë tetë vende vakante, të cilët pritet të plotësohen sipas kritereve përkatëse. Pas miratimit të hapjes së shkollës së Magjistraturës, mbledhja e KLD-së miratoi shtimin e gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë, si dhe Apelit në Durrës me disa gjyqtarë. Një veprim i tillë është kryer për shkak se ngarkesa në këto gjykata është më e madhe. Ndërkaq, për sa u përket procedimeve disiplinore për gjyqtarët, KLD-ja vendosi rikthimin në punë të gjyqtarët Alaudin Malaj dhe Memo Rexho në Apelin e Vlorës, ku i pari është kreu i kësaj Gjykate. Në të kundërt, është vendosur vazhdimi i mëtejshëm i procedimit për gjyqtarët Rasim Doda e Enekelejda Kashahu (Doda), për të cilët është kërkuar plotësimi i dosjes me një dokument shtesë. Për gjyqtarët e tjerë, për të cilët ishte propozuar marrja e masës disiplinore, Manjola Bjelerin, Taulant Tafën, Bujar Musta, Pajtime Fetahun, Zihni Shahun, është vendosur të shtyhet shqyrtimi i procedimit.