E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-njësive vendore: Të hiqen toponimet e huaja

Berisha propozon ndryshimin e të gjitha toponimeve të huaja. Propozimi prek edhe vendlindjen e tij, "Viçitol", që është një emërtim sllav


TIRANË - Qeveria Shqiptare angazhohet të heqë nga përdorimi i përditshëm të gjithë fjalorin e huaj që lidhet me emërtimet e njësive vendore, siç janë fshatrat, qytetet, apo edhe të vendeve të ndryshme.


Pasi vendosi disa javë më parë që të vërë masa të rënda shtrënguese për të gjitha ato aktivitete private, që përdorin tabela apo reklama në gjuhë të huaj, dje, shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar një nismë të re në këtë linjë, por që kësaj radhë ka të bëjë me ndryshimin e të gjitha toponimeve të huaja, ç'ka duket se do të prekë edhe vendlindjen e tij, "Viçitol", që është po ashtu një emërtim sllav.


Berisha


Deklarata e Kryeministrit Sali Berisha është bërë dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku ndër të tjera ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme për të bërë të mundur rikthimin e emërtimeve të mëparshme shqiptare për të gjitha ato vende që sot mbajnë emra të imponuar nga të huajt, që gjatë historisë kanë pushtuar vendin tonë.


Shkas për hapjen e këtij debati ka qenë pikërisht propozimi që i kishte ardhur Këshillit të Ministrave për të miratuar një shkollë jopublike me emrin "Logos".


Por, pikërisht një emërtim i tillë i huaj ka bërë që Kryeministri të vendosë veton dhe të mos e miratojë atë dhe ndërkohë të deklarojë se është kundra një gjëje të tillë, jo vetëm kur bëhet fjalë për institucione private, por edhe për rastet që kanë të bëjnë me emërtesat e njësive vendore.


Për të bërë të mundur këtë, ai ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të njësive vendore përkatëse, që të bëjnë evidentimin e rasteve dhe të paraqesin propozimet për ndryshimet e emrave në Kuvend. "Me gjithë respektin shumë të madh që kam për pronarët që investojnë në arsim, emërtimet duhet të jenë në gjuhën shqipe.


Po ashtu, tabelat duhet të jenë me emra shqip. Do të kenë një taksë shumë të rëndë për ta mbajtur. Unë inkurajoj qeveritë vendore që të shohin toponimet që kanë mbetur që nga koha e Dushanit dhe kanë zëvendësuar ato që ne kemi pasur", - tha Berisha.


Megjithatë, ai ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë fushatë konkrete dhe të shpejtë në kohë, por për një qëllim të qeverisjes së tij për t'u rikthyer qytetarëve të këtij vendi emrat e memories popullore.


"Këtë nuk e kam aspak për ndonjë valë, por do të rikthejmë toponimet që kanë qenë tonat në mijëvjeçarë dhe janë në memorien e banorëve. Ne kemi emra shumë të mirë, si p.sh., Gruemirë apo Ujëmirë. Unë mendoj se është i domosdoshëm një shqyrtim tërësor nga qeveritë vendore, pasi ato e kanë të drejtën për to", - shtoi më tej Berisha.


Studimi


Ashtu si edhe në rastin e kërkesës së tij të hershme për të ndërhyrë dhe ndryshuar librat e historisë, kreu i qeverisë përsëri tenton të përcaktojë me urdhër politik emrat që kanë mbetur si pasojë e rrjedhave të historisë.


Për këtë qëllim, ai ka ftuar që të kontribuojnë në këtë drejtim edhe studiuesit e historisë, të cilët, sipas tij, në bashkëpunim me komunitetet, do të duhet të gjejnë emrat e vjetër që kanë ekzistuar para se pushtimet të impononin këtë realitet që ekziston sot.

"Toponimet janë një përzierje e trashëguar nga të gjitha kohërat, prandaj, në bashkëpunim me historianët, në bashkëpunim me të gjithë komunitetet, të hulumtojnë dhe të gjejnë emrat e bukur që kanë pasur", - tha Kryeministri.


E në rast se një propozim i tillë bëhet realitet, një sërë emrash të njohur qytetesh apo fshatrash nuk do të kenë më emrat me të cilët njihen sot, por do t'u vendosen emrat e mëparshëm. Këtu mund të përmendin Çorovodën në Skrapar, Roskovecin në Fier, Sllova në Dibër, Viçitoli në Tropojë e shumë emra të tjerë. Ndryshimi i emrave të njësive vendore bëhet me vendim të Kuvendit, por gjithmonë pasi një gjë e tillë të jetë propozuar nga komuniteti dhe njësia e qeverisjes vendore

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›