E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksion amerikan

Presidenti Bamir Topi, ambasadori amerikan Xhon Uidhërs i Dytë dhe kryeministri Sali Berisha thanë dje se fitorja e senatorit Barak Obama në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dëshmoi plotësimin e ëndrrës amerikane. Senatori demokrat Obama u bë i 44-ti president i SHBA-ve, por i pari afro-amerikan që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, pasi fitoi 338 vota elektorale përkundër 152 të kandidatit rival republikan Xhon Mekein. Obama do të përurohet si president më 20 janar 2008.

Topi: Leksion amerikan

Presidenti Topi tha se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara ishin një leksion i mirë për Shqipërinë, të zhvilluara të lira e të drejta. Topi tha gjithashtu, se nuk ka asnjë frikë për ndryshimin e politikës amerikane ndaj shqiptarëve dhe se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit do të mbeten të shkëlqyera. Presidenti kujtoi se të gjithë leksionet e mira për demokracinë vijnë nga Shtetet e Bashkuara. “Ne jemi të lumtur që kemi një mik kaq të madh. Dhe besoj që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë të shkëlqyera, do të jenë gjithmonë të forta. Nuk ka nevojë të themi që do të jenë më të mira, sepse janë të shkëlqyera. Dhe aty ku janë superlative, nuk ka nevojë të vëmë shenjat krahasuese. Pra, do të jenë gjithmonë të shkëlqyera, shumë të forta dhe kjo besoj do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, do të jetë për Kosovën, do të jetë për rajonin tonë ballkanik, që në mënyrë të qartë ka shprehur aspiratat e tij euroatlantike”, - tha Topi. Kryetari i shtetit i bëri komentet, pasi mori pjesë në veprimtarinë e organizuar nga ambasada amerikane “Mëngjes zgjedhjesh”, gjatë së cilës në një votim simbolik fitoi gjithashtu Barak Obama me 63 për qind të votave përballë kandidatit republikan Xhon Mekein. Më pas, në telegramin dërguar Obamës, Topi shprehu besimin se “miqësia, partneriteti dhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy vendeve tona do të vazhdojë të konsolidohet e të zhvillohet më tej në interes të aspiratave të dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim”.

Uidhërs: Ndryshoi historia

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Xhon Uidhërs i Dytë, tha se “rezultatet e zgjedhjeve që janë mbajtur në SHBA, kanë ndryshuar kursin e historisë”. Uidhërs i Dytë i bëri komentet në të njëjtën veprimtari ku kishte ftuar Topin, të organizuar në hotelin “Rogner” nga ambasada amerikane dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Ambasadori e bëri paraqitjen, duke e quajtur veten “qytetar dhe votues i thjeshtë” dhe jo “ambasador i SHBA-ve në Shqipëri”. Fitorja e Obamës u shënua në 45-vjetorin e lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga Martin Luther King. “Sot është një ditë shumë e veçantë për Amerikën dhe çdo amerikan. Shumë dekada më parë, Martin Luter Kingu shprehu shpresën për një ëndërr për SHBA-të, e cila mbërtheu vëmendjen e shumë amerikanëve nga çdo fushë e jetës dhe shtresës së shoqërisë. Martin Luter Kingu tha që “unë ëndërroj për një ditë, ku njerëzit në SHBA nuk do ta gjykojnë njëri-tjetrin përmes ngjyrës së lëkurës, por përmes përmbajtjes dhe esencës së karakterit të tyre”. Dhe sot, miliona amerikanë kanë zgjedhur të shohin përmbushjen e asaj ëndrre”, tha ambasadori Uidhërs. Ambasadori i vlerësoi të dy rivalët, senatorin fitues të Ilinoisit, Obamën dhe të Arizonës, Xhon Mekein, kur tha se “amerikanët kishin para tyre dy kandidatët më të mirë që mund të prodhonte Amerika”. “Senatori Xhon Mekein është një nga amerikanët më të shquar të brezit tonë, një njeri me një karakter dhe integritet të tillë, qëkur pati mundësinë të lirohej nga burgu në të cilin mbahej në Vietnam, ai zgjodhi të mos lirohej, por të vazhdonte të vuante së bashku me bashkatdhetarët e tij të burgosur”, tha Uidhërs i Dytë.

Berisha: Bota është ndryshe

Kryeministri Berisha shfrytëzoi mbledhjen e qeverisë për të përshëndetur fitoren e senatorit Obama. Berisha në një fjalë plot lavde për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane tha se fitorja e Obamës shënoi një ditë të madhe për njerëzimin dhe se ajo tregoi njëkohësisht vlerat e mëdha të ëndrrës amerikane që gjithkush mund të përballet me këdo. Berisha tha se zgjedhja e Obamës ishte fitore e thellë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe se votimi pro tij e ka bërë këtë vend të madh më të bashkuar se kurrë. “Zgjedhja e presidentit Obama është realizimi dhe shndërrimi më madhor në realitet i ëndrrës amerikane. Kjo dëshmon se në këtë vend mundësia dhe shansi për t’u bërë president nuk përcaktohet nga prejardhja, raca, ngjyra dhe faktorë të tjerë, por përcaktohet nga parimet që mbron, mesazhet që jep, fuqinë, forcën për të pushtuar mendjen dhe zemrën e qytetarëve amerikanë, qofshin ato anglosaksonë me origjinë, afro-amerikanë, hispanikë, aziatikë apo të çdo prejardhjeje”, - tha Berisha. Kryeministri kujtoi udhëheqësin e zezakëve, Martin Luter King, i martirizuar për të drejtat civile të të gjithë amerikanë dhe njerëzimit, kur tha se kombi i madh amerikan shndërron në realitet ëndrrën e kësaj lëvizjeje”. Ai tha gjithashtu, se fitorja e Obamës “shndërron në realitet ëndrrën e presidentit Kenedi, i cili pati deklaruar se nuk do të jetë e largët dita kur presidenti i Shteteve të Bashkuara do t’u përkasë afro-amerikanëve”, - tha Berisha. Berisha shtoi se fitorja e senatorit demokrat është përgjigjja më e merituar ndaj racizmit dhe diskriminimit racial, nga të cilat ka vuajtur kaq shumë njerëzimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›