E Diel, 1 Nëntor 2026

SPANJE KROCI Kampionët nuk janë dakord me marrëveshjen!

Përgatiti: DENIS HAKANI

Nuk ekziston mundësia që ne të arrijmë një marrëveshje me Spanjën. Të thuhet e kundërta është një fyerje, – tha trajneri i Kroacisë, Sllaven Biliç.

Kroaci – Spanjë

ora 20:45, në Gdansk

Formacionet e mundshme:

Kroacia: Pletikosa, Srna, Çorluka, Shildenfeld, Strinic, Vukojeviç, Rakitiç, Mandzukiç, Modriç, Perisiç, Jelaviç.

Spanja: Kasiljas, Arbeloa, Ramos, Pike, Alba, Buskets, Alonso, Silva, Ksavi, Injesta, Torres.

Nëse takimi i sotëm mbyllet në barazim 2-2, të dyja skuadrat do të kualifikoheshin, por kampet përkatëse refuzojnë idenë që të luajnë qëllimisht për një rezultat të tillë

Kroacia nuk ka probleme me dëmtimet dhe ka shumë mundësi që të mos bëj asnjë ndryshim në ndeshjen e tretë radhazi. Kroacia e ka filluar ndeshjen kundër Italisë me skemën 4-4-2, por ka ndryshuar në 4-2-3-1 pas pjesës së parë për ti dhënë mundësi Luka Modriçit të luajë më përpara.

Nëse ai do të ruajë këtë pozicion atëherë Ivan Rakitiçi do të zhvendoset mbrapa për të luajtur në krah të mesfushorit Ognjev Vukojeviç. Ndërkohë, mesfushori spanjoll Serxho Buskets ka dëmtuar këmbën kundër Irlandës, por analizat kanë treguar se nuk ka asgjë serioze dhe do të jetë në dispozicion të Del Boskes.

Sulmuesi Fernando Torres pritet të ruajë vendin e tij pas dy golave të realizuar në përballjen kundër irlandezëve. Çesk Fabregas ka shënuar pasi është aktivizuar nga stoli, por duke parë konkurrencën e madhe te ekipi spanjoll ka shumë mundësi që ai ta nisë ndeshjen nga stoli.

Kroacia dhe Spanja kanë reaguar kundër zërave që flasin për një marrëveshje të mundshme midis dy palëve për ta mbyllur takimin në barazim 2-2, një rezultat që do ti çonte të dy ekipet në çerekfinale në dëm të Italisë.

Siç ka theksuar trajneri Sllaven Biliç, kroatët janë shumë krenarë dhe nacionalistë; ata nuk janë favorit, por në historinë e tyre relativisht të shkurtër kanë arritur disa rezultate befasuese, duke mundur Italinë dhe Gjermaninë (dy herë) në kompeticione të mëdha.

Ata gjithashtu kanë eliminuar Anglinë në fazën eliminatore të Euro 2008-ës – pa harruar se skuadra e Biliçit ka fituar 3-2 në Uembli edhe pse e kishin siguruar kualifikimin në turneun e Austrisë dhe Zvicrës. Nga ana tjetër, Spanja është krenare për statusin si kombëtarja që zhvillon një futboll të bukur dhe sigurisht nuk do të dojë që emri i tyre të njolloset nga një rezultat i dyshimtë.

Pavarësisht nga kjo, është shumë e vështirë ti shënosh një gol spanjollëve, jo më dy. Franca ka qenë skuadra e fundit që ka shënuar më shumë se një herë kundër tyre në një kompeticion të madh (fitore 3-1 në Botërorin e 2006-ës).

Për më tepër, kampionët e botës dhe të Europës nuk barazojnë; vetëm dy nga 37 ndeshjet e fundit zyrtare janë mbyllur në barazim – rastësisht, të dyja kundër Italisë. Dhe hera e fundit që kanë barazuar një ndeshje zyrtare 2-2 ka ndodhur në 2003-in, në një ndeshje kualifikuese për Europianin në Ukrainë.

Pavarësisht nga këto shifra, shumë kompani bastesh e kanë vënë vetëm 4 koefiçentin për rezultatin 2-2 në ndeshjen e Gdanskut, një shifër shumë e ulët kur mendon se një rezultat i ngjashëm midis Francës dhe Suedisë ka koefiçentin 16.

Historikisht, Italia ka qenë një problem për Spanjën dhe paraqitja e mirë e axurrëve në ndeshjen e parë të Grupit C ka bërë që e përditshmja spanjolle AS të shkruajë mos u befasoni nëse do të takohemi përsëri në finale.

Skuadra e Visente Del Boskes ndoshta nuk do të ishte shumë entuziaste për një përballje tjetër, por ata janë të përqendruar te ndeshja e sotme. Kroacia është sipër Italisë në renditjen e FIFA-s dhe një humbje kundër ekipit të Biliç do të sillte, më shumë mundësi, eliminimin e kampionëve të botës dhe Europës në fuqi.

Përballjet direkte:

- Kroacia ka fituar një nga katër ndeshjet kundër Spanjës (1 fitore, 1 barazim, 2 humbje). Të gjitha kanë qenë ndeshje miqësore.

- Kroatët kanë fituar në takimin e parë 2-0 në një miqësore të luajtur në stadiumin Mestaja të Valencias.

- Ndeshja e fundit është luajtur në 2006-ën, kur Spanja ka mundur Kroacinë 2-1 në një miqësore para Botërorit në Gjenevë.

Kroacia

- Kroatët kanë bërë 40 ndërhyrje të palejuara deri tani – vetëm Çekia është ndalur më shpesh nga arbitri në dy ndeshjet e para.

- Skuadra e fundit që ka mundur Kroacinë në Europian (duke përjashtuar eliminimin me penallti) ka qenë Anglia, që ka fituar 4-2 në Euro 2004.

- Mario Mandzukiç nuk e ka goditur shumë herë portën, por ka shënuar tri herë.

- Ata kanë shënuar katër gola në fazën me grupe në çdo Europian që kanë marrë pjesë

(1996, 2004 dhe 2008). Në dy ndeshjet e para të Grupit C Kroacia ka shënuar katër gola.

Spanja

- Spanja nuk humbet prej 16 ndeshjesh zyrtare, duke marrë 15 fitore dhe një barazim. Humbja e tyre e fundit ka qenë kundër Zvicrës (1-0) në Botërorin e 2010-ës.

- Kundër Irlandës Ksavi ka thyer rekordin e Europianit për numrin më të madh të pasimeve individuale të tentuar (133) dhe të kompletuar (114), sipas statistikave të UEFA-s.

- Fernando Torresit e ka mbajtur vetëm për 38 sekonda në total topin në këmbë kundër Irlandës, por ka bërë pesë gjuajtje (katër në portë), duke shënuar dy gola.

Visente Del Boske: Ne mendojmë vetëm për fitoren…

Trajneri i Spanjës Visente Del Boske ka theksuar se skuadra e tij nuk do të luajë për një barazim me Kroacinë në ndeshjen e fundit të Grupit C në Euro 2012-të, që do të luhet sot.

Një pikë do ti mjaftonte kampionëve të botës për të siguruar një vend midis tetë skuadrave më të mira dhe një barazim 2-2 do ti siguronte kualfikimin të dy kombëtareve në dëm të Italisë, por Del Boskes i interesojnë vetëm tri pikë të tjera.

Kemi marrë një shembull, për mënyrën se si duhet të sillemi, nga tifozët dhe lojtarët e Irlandës, që i kanë dhënë akoma më prestigj futbollit.

Ne jemi sportistë ashtu si kroatët, për këtë arsye do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen. Nuk ekziston mundësia e një marrëveshjeje për të arritur një barazim që na favorizon, unë nuk kam bërë asnjë llogari. Ne na intereson vetëm fitorja, ka thënë Del Boske.

Sllaven Biliç: Shpresoj të bëjmë një ndeshje të madhe

Sllaven Biliç, trajneri i Kroacisë, shpreson te fati dhe te një paraqitje shumë të mirë të skuadrës së tij kur do të përballet me kampionët e Europës në fuqi, Spanjën, ditën e stome.

Dy kombëtaret do të luajnë për të siguruar kualifikimin, por edhe vendin e parë në Grupin C.Kroacia kanë detyrën e vështirë të ndalin spanjollët që kanë shkatërruar 4-0 Irlandën të enjten e kaluar.

Ne kemi barazuar 1-1 me Italinë, një nga skuadrat më të mira në botë, ka thënë trajneri kroat. Jemi akoma në një pozicion shumë të mirë dhe kemi mundësi për të kaluar në raundin tjetër.

Duhet të kemi besim. Spanja do të ketë një kontroll më të madh të topit, por nuk do ta bëjë këtë gjatë gjithë ndeshjes dhe ne do të kemi shanset tona. Shpresoj që fati të jetë me ne, megjithatë lojtarët tanë duhet të japin maksimumin nëse duam të kualifikohemi, ka thënë Biliç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›