Torres fajëson lëndimet për formën e dobët

Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres ka fajësuar lëndimet për formën e tij jo të mirë pas transferimit në Stamford Bridge, në janar. Torres ishte blerja kryesore e afatit kalimtar të verës, kur braktisi Liverpoolin dhe iu bashkua Chelseas për rekord 50 milionë funte.
Mirëpo, ai ka dështuar të paraqitet në formë të mirë duke shënuar vetëm një gol në tetëmbëdhjetë ndeshje dhe dukej vetëm hije e vetes së tij që deri vonë konsiderohej si njëri prej sulmuesve më të frikshëm në Evropë. Megjithatë, Torres iu kthye golit të shtunën, në detyrë ndërkombëtare, kur u inkuadrua si rezervist dhe realizoi golin e fundit të Spanjës, në fitoren 4-0 ndaj SHBA-së. Në deklaratat e tij pas ndeshjes,
Torres pranoi se kaloi një sezon të vështirë, por theksoi se ngadalë është duke u kthyer në formë. “Ka qenë një vit i vështirë për mua”, tha Torres për TVE. Ai u ankua për problemet me lëndime në fillim të sezonit që e kufizuan në vetëm dy paraqitje për Spanjën, pas triumfit në Kampionatin botëror 2010.
“I kam luajtur vetëm dy ndeshje me ekipin kombëtar në periudhën e fundit. Lëndimet që kam pasur, më kanë pamundësuar të jem në formë të mirë. Por, shpresoj se sezonin e ardhshëm do të jetë më ndryshe”, përfundoi ai.