Torres kërkon fitoren e parë kundër Liverpoolit

Debutimi dëshpërues i Torresit kundër ish skuadrës së tij, pas transferimit në Stamford Bridge për 50 milionë funte nga Anfield Road, shënoi nismën shumë të vështirë të karrierës së tij me gjigantin londinez. Liverpooli iu ‘hakmor’ për largim duke mposhtur Chelsean në tri përballje, përveç finales së edicionit të kaluar në FA Cup.
Por, Torres nuk u paraqit në këtë duel dhe tani synon fitoren dhe golin kundër Reds në përballjen e tyre të dielën. “Është ndeshje e madhe dhe tani jemi në pozitën e dytë në tabelë. Duam të rikthehemi sërish në krye dhe hapi i parë për të bërë këtë është fitorja ndaj Liverpoolit”, deklaroi Torres për The Guardian.
Sulmuesi, i cili shënoi në fitoren 3-2 ndaj Shakhtar Donetskut në Ligën e Kampionëve të mërkurën, ka pranuar se ka biseduar rreth takimit me portierin e Liverpoolit, Jose Reina. “Edhe ata mezi presin duelin sepse u nevojiten pikët. Por, fitorja na duhet edhe neve, andaj shpresoj që pikët e plota të mbeten në Stamford Bridge”, përfundoi Torres.