Van Persie, arma kryesore e Man Utd-it

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney ka lavdëruar kontributin e deritashëm të përforcimit të ri Robin van Persie. Ylli holandez ka shkëlqyer për gjigantin nga Old Trafford pas transferimit gjatë afatit kalimtar të verës nga rivali i Premierligës Arsenal, për 24 milionë funte.
Van Persie ka realizuar 11 herë në 14 ndeshje në të gjitha garat dhe Rooney nuk dyshon se partneri i tij sulmues është aktualisht “arma kryesore e ekipit”.
Reprezentuesi anglez po ashtu ka pranuar se shënimet e vazhdueshme të Van Persiet ia kanë hequr barrën e kaluar për shërbimin e golave për Unitedin.
“Sigurisht se të gjithë e dinë se Robin është futbollist fantastik. Ai ka një qetësi të mahnitshme brenda vetes. Mendoj se ai është i dobishëm për gjithë ekipin. Është arma jonë kryesore dhe nëse futbollistët rreth tij janë në formë të mirë dhe e shërbejnë atë, atëherë çdo gjë bëhet më e lehtë. Golat e tij po ashtu kanë zvogëluar presionin ndaj meje dhe sulmuesve të tjerë”, përfundoi Rooney për ESPNSoccernet.