Kush nuk mundi të konkurronte, u largua te partia e mëkatarëve
26/10/2004 Nano u ka kërkuar socialistëve në bazë të nisin denoncimin e drejtuesve të tyre që janë të korruptuar apo që nuk kanë dhënë kontributin e tyre. Në kuadër të Kuvendimit të Madh, Kryeministri Fatos Nano ka takuar dje drejtues të strukturave të Partisë Socialiste në Dibër, ku ka theksuar nevojën për ndryshime. Kryesocialisti, duke vlerësuar punën e strukturave drejtuse të PS-së në këtë rreth tha: "PS do të hyjë në fushatën e ardhshme për të fituar tre deputetë në Dibër". Kryeministri nuk ka harruar të përmendë dhe të larguarit e partisë së tij drejt LSI-së, duke u shprehur se, "të gjithë ata që janë shmangur dhe nuk kanë kontribuar, nuk i kanë shërbyer me zemër dhe nuk kanë ndjekur disiplinën e PS-së, ikën në grupin e mëkatarëve”. Kreu i PS-së, Fatos Nano, ka vlerësuar dhe ripërtëritjen e strukturave të partisë në Dibër, duke theksuar se ky proces nuk duhet të mbetet vetëm në kryesi, por dhe në të gjitha strukturat e partisë, në këshillat zonalë, organizatat e saj etj. Sipas tij, "historia e Partisë Socialiste nuk e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë klientelizmin dhe ne do ta luftojmë atë. Kuvendim i Madh do të thotë denoncim publik për të gjithë ata që kanë abuzuar dhe kanë vjedhur". Ndërkohë që, Kryeministri ka zhvilluar një takim dhe me kryetarin e Bashkisë, i cili është përfaqësues i opozitës, duke i përcjellë mesazhin e bashkëpunimit mes strukturave qendrore dhe atyre vendore për zhvillimin e bashkisë së Peshkopisë. Në takime, Nano ishte i shoqëruar nga tre ministrat e kabinetit të tij, Toska, Poçi, Memushi dhe deputeti i zonës, Ilir Gjoni.