E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toti ngjitet ne vendin 5 ne renditjen e te gjitha koheve ne Serine A

Roberto Baxho është lënë prapa dhe njeriu që e arriti këtë mund të cilësohet një legjendë e gjallë. Françesko Toti arriti në kuotën e 206 golave të shënuar në Serinë A italiane, duke u bërë i pesti rekordmen i saj dhe duke i pasur të gjitha mundësitë për të arritur edhe vendin e dytë.

Kapiteni i Romës shënoi dy gola në fitoren 3-2 të verdhekuqve në Bari, duke lënë tani prapa “bishtalecin” e madh, Baxhon, që ka 205 gola, ndonëse ky i fundit ka zhvilluar më pak ndeshje sesa romani: 452 ndaj 471.

Ndër legjendat që ende vrapojnë në fushë, Toti kryeson mbi Alesandro Del Pieron që ka shënuar 184 gola, Filipo Inzagin që ka 155 dhe Hernan Krespon me 153.

Në shënjestër të njeriut që është bërë i njohur në Itali dhe Europë për shkak të barcaletave, janë dy shënues të mëdhenj, Xhuzepe Meaca dhe Zhoze Altafini, pasi këta kanë vetëm 10 gola më shumë sesa kapiteni roman.

Në vendin e dytë ndodhet suedezi i jashtëzakonshëm Gunar Nordal me 225 gola, ndërsa në vend të parë është i paprekshmi Silvio Piola me 274 golat e tij, një rekord që Toti nuk besohet ta mbërrijë.

Nëse do të nisemi nga efikasiteti, pra nga mesatarja e golave për ndeshje, atëherë ish-milanisti Nordal nuk ka shok.

Suedezi i shënoi 225 golat e tij në vetëm 291 ndeshje, me një mesatare prej 0.77 golash për takim. Toti ka mesataren 0.44 gola për ndeshje.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›