Totozani romëve: Në rast shpërngulje do ti ngrini çadrat në oborrin e AP
Avokati i Popullit, Igli Totozani u takua sot me komunitetin rom të cilët ndodhen përkohësisht në zonën e Tufinës në kryeqytet. Duke inspektuar kushtet e vështira të romëve, u konstatua se ky komunitet ndodhet në kushte tepër të vështira në të ftohtë, në mungesë të ujit, ngrohjes dhe banesave.
Pas djegies së barakave të tyre në zonën e ish-trenit, dhjetëra familje rome jetojnë me çadra në Tufinë ndërsa dhe aty janë kërcënuar se do ti shpërngulin pronarët e tokës.
Totozani tha para medieve se çështja do të ndiqet me vëmendje ndërsa deklaroi publikisht se në rast të shpërnguljes, romëve do u ofrohet hapësira e oborrit të institucionit që ai drejton për të ngritur çadrat.
Familjeve rome në fjalë iu dogjën çadrat në një fushë pranë stacionit të trenit në kryeqytet ndërsa ngjarja u komentua si veprim i pronarëve të tokës për ta detyruar komunitetin që të largohet që aty.