Totozani: Emigrantët e kthyer të trajtohen me ndihmë ekonomike

Avokati i Popullit, Igli Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka vizituar sot Elbasanin, ku ka zhvilluar disa takime me aktorë institucionalë dhe shoqërinë civile. Pas takimit të parë me kryetarin e bashkisë, ai ka vlerësuar komunikimin me qytetarët që ka vendosur kryebashkiaku Qazim Sejdini, sidomos në veçorinë më të fundit, atë të komunikimit online të qytetarëve me stafin e bashkisë dhe me vetë kryetarin.
Unë e nxis kryetarin të vazhdojë komunikimet si deri më sot, nëpërmjet procesit të buxhetimit me pjesëmarrje apo dhe komunikimit online, tha Totozani. Ndërkohë, lidhur me problematikat, avokati theksoi disa nga problemet më të mprehta që shqetësojnë gjatë kësaj periudhe qytetarët elbasanas.
Elbasani ka problematikë është të mprehtë dhe ne po i kushtojmë mjaft rëndësi. Mund tju përmend këtu ndihmën ekonomike për emigrantët që kthehen si pasojë e krizës ekonomike. Ne jemi të mendimit që duhet riparë nga qeveria dhe bashkia që ata të trajtohen me këtë ndihmë dhe duhet ti ndihmojmë në këto kohë të vështira. Gjithashtu ka problematikë sa i përket mungesës së ujit të pijshëm apo faturave afrofe.
Sa i përket ndotjes së mjedisit, kjo është një çështje që unë jam njohur edhe nga kryetari i bashkisë. Në kuadër të mbrojtjes së drejtave të qytetarëve për një zgjidhje të problemit të ndotjes, ne do ta mbështesim sepse mendojmë që është një nga problemet më të mprehta që ka Elbasani dhe do të ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë institucionale që ky problem të zgjidhet, tha Totozani.
Ndërsa kreu i Bashkisë së Elbasanit u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Ndajmë të njëjtat mendime me Avokatin e Popullit, në lidhje me problematikat e qytetit, – pohoi Kryetari i Bashkisë.
Ramë dakord që të punojmë më fort, sidomos për problematikat që na shqetësojnë si ndotja, mungesa e ujit të pijshëm, apo dhe fenomeni që na është shfaqur së fundmi, kërkesa e emigrantëve të kthyer për t`u trajtuar me ndihmë ekonomike nga bashkia. Më vjen mirë që ndajmë të njëjtën gatishmëri me institucionin e Avokatit të Popullit për zgjidhjen e problemeve që trajtuam. Ramë dakord të punojmë më tej për problemet që na shqetësojnë e që nuk kemi mundësi zgjidhjeje, duke pasur bashkëpunimin me Avokatin e Popullit. Kjo është një ndihmë e madhe për bashkinë dhe qytetarët e Elbasanit. Problemet e bashkisë janë problemet e qytetarëve dhe do të mundohemi fort t’i zgjidhim së bashku, ka përfunduar kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini.
Totozani ka nënshkruar një marrëveshje me shoqërinë civile, ndërsa ka vijuar edhe në një takim me prefektin Shefqet Deliallisi. Ai e ka njohur me disa nga shqetësimet e qytetarëve që kanë lidhje kryesisht me pronat. / Bardha Nergjoni